“Dritë në fund të tunelit – Heshtjen bëje zë”
Gjakovë- Shoqata e Grave “Medika Gjakova”, ka nisur fushatën 16 ditore me moton “Dritë në fund të tunelit-Heshtjen bëje zë”, aktivitet ky kundër dhunës ndaj grave.
Drejtoresha e kësaj organizate, Selamete Peni, është shprehur se ky aktivitet ka për qëllim sensibilizimin e opinionit të vendit për të drejtat e grave të cilat kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë, numri i të cilave në komunën e Gjakovës është mjaftë i madh.
“Edhe pse kanë kaluar 14 vjet nga lufta dhe nga ato ngjarje të tmerrshme që u kanë ndodhur shumë grave e vajzave, shoqëria jonë ka bërë shumë pak për këto kategori. Ky projekt është në kuadër të përpiekjeve që po bëhen nga shoqëria civile por edhe nga gratë në Kuvendin e Kosovës që të amandamentohet Ligji mbi viktimat civile të dhunës, në të cilin duhet të futet edhe kjo kateegori sepse me të vërtetë ato e meritojnë”, ka thënë Peni.
Nga ana tjetër, doktoresha Merita Rruka, pjesë e këtij projekti ka thënë se kësaj kategorie të grave do t’u ofrohet trajtim specifik psiko–somatik për të tejkaluar tmerrin e përjetuar.
Ndryshe aktiviteti i sotëm në kudër të fushatës me moton “Dritë në fund të tunelit-Heshtjen bëje zë” është zhvilluar në qendër të qytetit pranë bustit të Nënës Tereze në Gjakovë, me ç’rast është shpërndarë edhe material promovues për qytetarët e rastit dhe pjesëmarrësit tjerë në këtë aktivitet./radiogjakova/










