Duartrokitje të gjata për “Biznesmeni”
Trajtimi i dukurisë së mashtrimeve përkatësisht të biznesit të matrapazëve, të sjella në ekran përmes roleve të Gazusit dhe Zimernisë, ka sjellë një emocion të veçantë dhe është duartrokitur gjatë nga shikuesit të cilët mbrëmë kishin mbushur sallen e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, në edicionin premier të komedisë filmike me titull “Biznesmeni”. Të realizuara me mjeshtri, në mjedise të
ndryshme si në Gjakovë, pastaj tek Vali Ranch në Gjilan, si dhe në Shëngjin, nga regjisorët Sevdai Radogoshi dhe Afrim Mula, temat e trajtuara sociale në këtë realizim filmik me premisa të mëdha të humorit, do të mbesin gjatë në mendjen e adhuruesve të artit të shtatë, duke dhënë edhe një mesazh të qartë në këtë drejtim. Skenarin e kësaj komedie filmike e ka punuar, Shkumbin Radogoshi, ndërkohë që në kastën e aktorëve me role kryesore në këtë film, bëjnë pjesë Sevdai Radogoshi, Shkumbin Radogoshi Arben Lleshi, pastaj Blerina Brovina-top modele, Nik Rraci, Robert Ukaj, Egzonita Ala-Miss Gjermania, Aziz Saliuka, Islam Zhuri, Xhelal Kaqi etj.. Drejtor i projektit është Skënder Gola, ndërkohë që realizimi është bërë nga Bimi Production në Gjakovë.