Edhe Komuna e Gjakovës pjesë e projektit “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse”
Komuna e Gjakovës është njëra prej 5 komunave të Kosovës, të cilat janë bërë pjesë e projektit “Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse”, iniciuar dhe financuar nga Agjencia amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar USAID. Lansimi zyrtar i këtij projekti, ne te cilin, krahas Gjakovës, përfitues janë edhe Gjilani, Prishtina, Peja Vushtrria, është bërë sot në Prishtinë, me ç‘rast, kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka folur në emër të pesë komunave përfituese. “Ky është një projekt shumë i rëndësishëm për faktin se siguron dhe garanton qëndrueshmëri në proceset e transparencës dhe llogaridhënies në pesë vitet e ardhshme, jo vetëm për komunat përfituese por edhe për ndërlidhjen e komunave me institucionet e nivelit qendror në vendin tonë. Ky projekt gjithashtu garanton edhe integrimin e vazhdueshëm të shoqërisë civile dhe qytetarëve në përgjithësi në vendim marrjen e institucioneve të vendit”, ka thene Kusari-Lila. E ambasadori amerikan në Kosovë Greg Delawie, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po tentojnë që përmes projekteve të tilla të ngritin kapacitetet njerëzore e të institucioneve të Kosovës, në disa fusha të caktuara.Ndryshe, projekti në fjalë do të ofrojë asistencë të plotë për pesë komunat e përzgjedhura, të cilat do t’i vë në fokus përmes trajnimit, udhëzimit por edhe monitorimit, duke krijuar sisteme që do të përmirësojnë mënyrën se si këto komuna japin llogari për fondet dhe shpenzimet publike.