Elida Shasivari: Lekaj më kërcënoi me vend pune
Gjakovë- Aktorja Elida Shasivari, aktualisht administratore në Drejtorinë komunale të kulturës në Gjakovë, ka drejtuar akuza ndaj kryetarit të komunës së Gjakovës Pal Lekaj për, siç ka thënë ajo, kërcënimin verbal me largim nga vendi i punës, që sipas saj, Lekaj i’a ka bërë ditën e premte.
Në një konferencë për media, Shasivari ka treguar në detale ngjarjen e së premtes, ndërsa ka shtuar se pas saj është nderë tepër e shokuar dhe që nga ajo ditë është në trajtim shëndetësor, pasi ka rënë në një depresion të thellë.
“Më është afruar dhe më ka thënë: Ti më ke dëshpëruar shumë. Prej këtij momenti fillo të kërkosh një punë të re sepse pas datës 2 dhjetor ti je e larguar nga puna”, ka treguar Shasivari për fjalët që i ka thënë kryetari Lekaj.
Ajo ka shtuar se nuk e ka pritur një gjë të tillë, për faktin se asnjëherë nuk ka qenë e inkuadruar në politikë dhe nuk ka punuar në shërbim të asnjë subjekti politik.
Nga ana tjetër, ne kemi provuar të kontaktojmë edhe me zyrtarët komunal, apo edhe me vet kryetarin Lekaj, por kontakti me ta ka qenë i pamundur. Zëdhënësi i komunës Hasan Ukshini ka thënë se nuk është në dijeni për këtë rast.
Lidhur me këtë ngjarje, Shasivari ka bërë të ditur se do të bëj denoncim zyrtar ndaj kryetarit Lekaj në Policinë e Kosovës dhe në Prokurorinë Themelore të Gjakovës/radiogjakova/