“Engjujt janë largë” i Gjergj Gjuvanit do realizohet në Gjakovë
Gjakovë- Një bashkëpunim në mes të Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Shqipëri dhe Qendrës Kombëtare të Kinematografisë në Kosovë, pritet ta sjellë një film gjigant për adhuruesit e filmit mbarë shqiptar.
Bëhet fjalë për filmin “Engjujt janë largë” të regjisorit shqiptar Gjergj Gjuvani, xhirimet për të cilin pritet të fillojnë ditëve në vazhdim. E për ta gjiruar këtë film, regjisori ka zgjedhur pikërisht Gjakovën, me ç’rast ka disa ditë që në qytetin tonë veçse kanë filluar përgatitjet për kompletimin e skenave të nevojshme për filmin.
Siç bën të ditur Arben Lleshi, njëri nga organizatorët e këtij projekti, Gjakova do të përfitojë shumë nga ky projekt, pasi përveç faktit se Gjakova bashkë me këtë film do të hyjë në analet e filmografisë shqiptare, ky qytet do të pret në gjirin e vet për më shumë se një muaj emrat më të mëdhenj të kinematografisë jo vetëm shqiptare por edhe asaj evropiane.
Në këtë film do të marrin pjesë aktorët më të mirë shqiptar e italian. Xhirimet e para pritet të fillojnë në ambientet e ish – shkollës “Mejtepi Ruzhdie”, e cila sipas skenarit është konceptuar të shërbejë si një jetimore, në të cilën pritet të zhvillohet pjesa më e rëndësishme e filmit./radiogjakova/