.
Published On: Tue, Mar 6th, 2018

Epopeja e UÇK-së, Gjini bën homazhe në Gjakovë e Prekaz

Share This
Tags

Me rastin e vitit jubilar, 20-vjetorit të rënies heroike të Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jasharaj, dëshmorëve të kombit si dhe të gjithë të rënëve për liri edhe të martën vazhdoi manifestimi gjithëpopullor Epopeja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në Gjakovë, dita nisi me homazhe. Kryetari Ardian Gjini i shoqëruar nga nënkryetari Ramadan Hoti dhe drejtorë komunalë nderuan dëshmorët dhe martirët e kombit duke bërë homazhe pranë memorialit “Shokët e Lirisë” në qendër të qytetit.

Me këtë rast, Gjini tha se kjo është një ditë e shënuar në historinë e Kosovës, ndërsa janë momente kur kujtojmë sakrificën që ka bërë populli për të arritur ditët që gëzojmë sot.

Në këto homazhe morën pjesë edhe përfaqësuesit më të lartë të Drejtorisë së Policisë Rajonale të Gjakovës, si dhe përfaqësues të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Më pas, delegacioni i Komunës së Gjakovës i prirë nga kryetari Gjini u nis drejt Skënderajt ku do të bëjnë homazhe në Kompleksin Memorial në Prekaz.

Ndërsa një delegacion tjetër komunal i udhëhequr nga nënkryetari Ramadan Hoti kanë bërë homazhe edhe në komplekse të tjera në lokacione të ndryshme si në Shqiponjë, Koshare, Rogovë të Hasit, varrezat e dëshmorëve në Gjakovë e të tjera./radiogjakova/