Fillojnë punimet në rregullimin e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”

Me mbylljen e tenderit të shpallur nga Komuna e Gjakovës për ndërhyrje në rregullimin e enterierit dhe hapësirave të brendshme të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, ditë më parë kanë nisur punimet nga kompania fituese “ARC Projekt” nga Gjakova. Meriton Ferizi, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, ka bërë të ditur se punimet kanë nisur në rregullimin e foajeut të pallatit, e cila do të ketë qasje direkte në galerinë e arteve, e cila poashtu do të rregullohet dhe ambientohet për prezentime të krijuesve, hapësirë e cila deri më tani, sidomos të disa viteve të paraluftës si dhe pasluftës ka munguar.
Në këto punime hapësirë do te ketë edhe për një studio të fotografive e cila në vlerë prej dhjetë mijë euro do të investohet nga fotografi i njohur shqiptar me famë botërore, Fadil Berisha, të cilin ambient e ka paraparë që për çdo vit të mbajë një festival të fotografisë, porse njiherit do të jetë edhe në shfrytëzim të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport. Punime në rregullimin e hapësirës së brendshme të pallatit do të ketë edhe në sallën universal, si dhe në daljen nga kjo sallë nga ana lindore e saj.
Pos fotografit Fadil Berisha që ka ndarë shumën e sipërcekur në rregulllimin e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” mjete kanë ndarë edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës në vlerë prej 50 mijë euro, si dhe Drejtoria e Kulturës e cila ka ndarë shumën prej 40 mijë euro, që në total arin vlerën investuese prej 100 mijë euro. Sipas kontratës, këto punime do të kryhen brenda gjashtëdhjetë ditëve, ndërsa më pas, siç tregon drejtori Meriton Ferizi, do të ketë edhe disa punime shtesë. Firma e cila po i kryen punimet ka përfituar në ekzekutimin e këtyre punimeve sipas kritereve të përcaktuara në tender, duke përfshirë edhe çmimin më me të arsyeshëm.










