.
Published On: Sat, Jul 12th, 2014

Fillon projekti për “Ngrohtoren e Qytetit”

Share This
Tags
 ngrohtorja-
Ka filluar faza e parë e realizimit të projektit madhor për ndërrimin e lëndës së parë në “Ngrohtoren e Qytetit”. Në fakt, tashmë në Gjakovë kanë arritur dy ekspertë gjermanë të cilët me financim të bankës gjermane KFW, përgjatë 6 muajve të ardhshëm do ta bëjnë studimin e fizibilitetit e gjithashtu do ta bëjnë analizat e nevojshme për mundësitë më të mira të realizimit të këtij projekti.
Siç bëhet e ditur, viti 2015 mund të jetë viti kur pritet të fillojë realizimi konkret i këtij projekti i cili pritet të përmbyllet në tërësi në një afat prej 1 viti e gjysmë. Gjithashtu bëhet e ditur se është duke u studiuar lokacioni ku aktualisht gjendet Ngrohtorja, në mënyrë që të vendoset nëse kësaj ndërmarrje do t’i ndërrohet lokacioni në tërësi apo do të mbetet në lokacionin aktual.
Fillimin e këtij projekti e ka konfirmuar edhe kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila, e cila ka thënë se komuna do ta mbështesë me të gjitha forcat realizimin e këtij projekti jetik për banorët e komunës së Gjakovës. Por, sipas saj, komuna e ka prioritet kryesor që deri në realizimin e tërësishëm të këtij projekti, të sigurojë ngrohje cilësore dhe pa ndërprerje për konsumatorët ekzistues të Ngrohtores.
Ndryshe, deri me tani Ngrohtorja e ka përdorur mazutin si lëndë të parë për prodhimin e ngrohjes, por kjo po del të jetë e kushtueshme dhe jo efikase. Sipas planeve të para, ka mundësi që në të ardhmen, si lëndë e parë të përdoret linjiti dhe bio-masat.