Gjakova në festë. Gëzuar 2014!
Gjakovë- Atmosfera festive e ndërrimit të moteve në komunën e Gjakovës të martën mbrëms ka vazhduar deri në orët e hershme të mëngjesit të ditës së mërkure.
Ambientet familjare kanë qenë vend-qëndrimi më i preferuar i bashkëqytetarëve tanë, pjesa më e madhe e të cilëve kanë festuar me më të dashurit e tyre. Atmosfera ka kulmuar një orë para çastit të ndërrimit të moteve, kur në sheshin festiv në Gjakovë bashkë me qytetarët ka dalë për të festuar edhe kryetarja e komunës Mimoza Kusari Lila.
Krahas këngës, gëzimit e haresë, në çastet e ndërrimit të moteve, siç është bërë traditë, shumë qytetarë kanë shëtitur përgjatë qendrës së qytetit duke i dhënë shkëlqim festiv mbrëmjes më të gëzuar të vitit. Nuk kanë munguar si zakonisht as krismat dhe zhurma e petardëve dhe mjeteve tjera piroteknike.
Për fat të mirë, siç raportohet nga Qendra emergjente e spitalit “Isa Grezda”, pos disa lëndimeve të lehta që kanë pësuar disa të rijë gjatë përdorimit të mjeteve plasëse, nuk ka pas ndonjë lëndim me pasoja të rënda./radiogjakova/