.
Published On: Sun, Dec 28th, 2014

Gjakova në 2014-n, përmbledhja e muajit Mars

Share This
Tags

aksioni-pastrimiZhvillimet, të renditura në mënyrë kronologjike, që ndodhën gjatë muajit Mars 2014 në Gjakovë  

3 mars – Një nxënës i shkollës së mesme “Hysni Zajmi” përdori në korridoret e shkollës “paper spray” duke bërë që shtatë nxënëse tjera të përfundojnë në spital për shkak të irritimeve të syve, hundëve, fytit dhe alivanosjeve.

4 mars – Nis aksioni për pastrimin e komunës së Gjakovës “Gjakova e pastër”. Aksioni u shtri në të gjithë komunën duke marrë pjesë politikanë, përfaqësues të shoqërisë civile, studentë, nxënës dhe vullnetarë tjerë.

6 mars – KF Vëllaznimi mbajti kuvendin zgjedhor duke zgjedhur Mentor Nelën kryetar të ri. Ndërsa në bazë të statutit të klubit dhe kompetencave që i rrjedhin nga pozita e kryetarit, Nela prezantoi anëtarët e kryesisë Pashë Daija, Valon Lluka, Faton Batusha, Valon Gexha, Bekim Bardhi, Shpend Nura, Fatos Deva, Burim Dobruna dhe Bujar Guta.

7 mars – Në Ditën e Mësuesit, Komuna e Gjakovës nderoi veteranët e arsimit gjakovarë. Në një organizim të mbajtur në objektin e shkollës së parë shqipe në Gjakovë morri pjesë edhe Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi dhe ministra tjerë.

univers-gjk-fehmi-agani

7 mars – Universiteti publik “ Fehmi Agani” në Gjakovë kremtoi njëvjetorin e themelimit. Kjo ditë dhe ky manifestim, që rastisi më  7 mars, në  Ditën e Mësuesit, tubojë krerët më të lartë të Qeverisë së Kosovës, të Akademisë së Shkencës dhe Arteve të Kosovës, personalitete të jetës shoqërore, politike e fetare. Po ashtu, u përurua objekti i ri i UGJ “Fehmi Aganit”, ndryshe objekti në të cilin ishte vendosur shkolla e mesme “Nexhmedin Nixha”.

10 mars – Klubi i njohur belg, Anderleht pas shkarkimit të trajnerit John van den Brom, emëroi Besnik Hasin si timonier të ri të skuadrës. “Besnik Hasi e njeh klubin në tërësi. Ne si bord jemi të bindur se ai ka cilësitë për ta zgjuar këtë skuadër”, kishte deklaruar menaxheri gjeneral i Anderlehtit, Herman Van Holsbeeck.

besnik-hasi

12 mars – Mimoza Kusari-Lila hyri në 100 ditëshin e parë si kryetare e komunës së Gjakovës. Publikisht ajo kërkoi më tepër kohë për disa nga premtimet, duke thënë se kishte trashëguar një gjendje më të rëndë në komunë se sa mendohej, kryesisht për shkak të borxhit të madh.

13 mars – Me organizim të Kuvendit Komunal filloi Konferenca e Donatorëve. Me fjalën përshëndetëse të Kusari-Lilës, Kryeministrit Thaçi, zv/Kryeministrit Pacolli dhe ministres për Integrime Evropiane Vlora Çitaku nisi punimet konferenca në ditën e parë.

mimoza-kon-don

14 mars – Dita e dytë e punimeve të Konferencës me donator ka reflektuar me prezantimin substancial të projekteve gjithëpërfshirëse lidhur me qeverisjen e mirë dhe me projekte të infrastrukturës që ka të bëjë me sektorin e shëndetësisë.

15 mars – Kryetari i Bashkësisë Islame të Gjakovës, Ahmet Hoxha raportoi në Polici një rast të kërcënimit. “Viktima  me inicialet  A.H. i lindur në vitin 1978,  kryetar i Këshillit të Bashkësisë Islame , ka raportuar, në polici si të dyshimtë shtetasit T. T dhe Sh. T nga Gjakova, për shkak të një borxhi që i kishin Bashkësisë Islame e kishin kërcënuar atë me fjalë”, thuhej në raportin e Policisë. Dy të dyshuarit u arrestuan një ditë më pas.

17 mars – Besnik Hasi debutoi si trajner i Anderlehtit në mënyrë të shkëlqyeshme pasi që skuadra e tij triumfoi kundër Ostendes me rezultat të thellë 4 me 0.

17 mars – Përmes një konference për media dega e AAK-së në Gjakovë e quajti Konferencën e Donatorëve një dështim. Sipas zyrtarëve të këtij subjekti politik nga buxheti i komunës u ndanë mbi 15 mijë euro për Konferencën e donatorëve dhe nga kjo Konferencë Gjakova nuk fitojë asnjë cent.

18 mars – Qeveria e Kosovës në mbledhjen e saj morri vendim që dy komunat, ajo e Mitrovicës dhe e Gjakovës të shpallen zona të lira ekonomike. Sipas kryeministrit Thaçi vendimi që Gjakova dhe Mitrovica të shpallen zona të lira ekonomike është marrë në kuadër të zhvillimit dhe reformave ekonomike, të cilat sipas tij, janë edhe një hap i përkrahësve të prodhuesve vendor, mbështetjes së eksportit dhe krijimit të vendeve të reja të punës.

rama-kusari

22 mars – Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nisi vizitën e tij në Kosovë. Ndalesa e parë e Ramës ishte Gjakova ku zhvilloi një takim me kryetaren, Mimoza Kusari-Lila, me të cilën diskutoi për projektin e Alpeve si pjesë e ofertës turistike. Rama thotë se është i impresionuar nga projekti të cilin e ka prezantuar Kusari-Lila para tij, por që nuk u dhanë detaje se për çfarë projekti konkret bëhet fjalë.

24 mars – 15 vjet nga mbrëmja e llahtarshme e  24 Marsit të vitit 1999, të cilën qytetarët e Gjakovës, e mbajnë mend si natën më të gjatë dhe më të tmerrshme të shfrenimit të pushtetit serb ndaj popullsisë civile në shenjë hakmarrje për fillimin e bombardimeve të caqeve serbe. Në këtë datë u dogj në tërësi Çarshia e Madhe, zemra e ekonomisë gjakovare.

25 mars – Trajneri i Vëllaznimit, Ajet Shosholli paraqiti dorëheqjen e tij nga kjo pozitë për shkak të mungesës së rezultateve në ndeshjet e para të stinorit pranveror. Dorëheqja iu aprovua, ndërsa disa ditë më vonë Blerim Mula u emërua trajner i ri.

25 mars – Me arsyetimin se është pjesë e hetimeve, nën dyshimin për kryerjen e disa veprave penale, kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila, pezulloi nga pozita e Avokatit Publik Komunal Afrim Radoniqin.

27 mars – U arrestua drejtori i Arkivit të Komunës, Qazim Axhemi. Nën dyshimin për korrupsion, Axhemi u shoqërua në polici si dhe u hapen hetime për rastin.

jahja-shehu

28 mars – Aktori i njohur Jahja Shehu u shpall laureat i Çmimit Kombëtar për Vepër Jetësore në fushën e teatrit. Atij iu nda çmimi në Ditën Botërore të Teatrit, nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi në një ceremoni rasti në MKRS.

30 mars – Gjysmëfinalja e Kupës së Kosovës në basketboll që po zhvillohej në palestrën sportive “Shani Nushi” në Gjakovë përfundoi para kohe dhe në mënyrë të turpshme pasi tifozëritë e skuadrave u përfshin në një përleshje që vazhdoi edhe jashtë pallatit të sporteve. Shumë karrika të “Shani Nushit” mbetën të dëmtuara./radiogjakova/