.
Published On: Sat, Dec 27th, 2014

Gjakova në 2014-n, përmbledhja e muajit Shkurt

Share This
Tags

bakalli-Zhvillimet, të renditura në mënyrë kronologjike, që ndodhën gjatë muajit Shkurt 2014 në Gjakovë  

1 shkurt – Ruzhdi Bakalli, themelues i Rotarit në Kosovë, në Kuvendin Ndërkombëtar te Rotarianëve të mbajtur në San Diego të Kalifornisë u inaugurua si guvernatori i parë shqiptar në historinë 100-vjeçare të rotarianëve për Distriktin Rotarian 7280 në SHBA.

3 shkurt – Motrat Dafina dhe Laura Shllaku nga Gjakova, studente të arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, zunë vendin e dytë në konkursin ndërkombëtar të arkitekturës në SHBA. Në projektin e tyre ato kishin trajtuar riorganizimin e parkut ekzistues në Gjakovë dhe rregullimin e hapësirave publike, për të krijuar një jetë më të mire për qytetarët. Ato e prezantuan projektin në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

7 shkurt – Komuna e Gjakovës derdhi në xhirollogarinë e organizatës “Caritas” rreth 14 mijë e 500 euro për të paguar 61 mësimdhënës asistentë të cilët nuk kishin marrë rroga prej tre muajsh. Ky projekt që nisi në kohën kur Gjakova udhëhiqej nga Pal Lekaj u përfundua para se të shkruante në kontratë për shkak se Komuna nuk arrinte të përmbushte kërkesat financiare që dilnin nga ky projekt.

carshia-

7 shkurt – Për herë të parë Kusari-Lila pranoi se situata në Çarshinë e Madhe me hapjen e kafiterive të shumta po dilte jashtë kontrollit. Ajo tha se kjo po i bën dëm ekonomisë gjakovare duke ngjallur një debat të fortë dhe reagime të ndryshme. Kusari-Lila u shpreh se Gjakova duhet të prezantohet përmes kulturës së saj artizanale dhe jo me kafeteri.

10 shkurt – U mbajt mbledhja e parë e qeverisë komunale e kryesuar nga kryetarja Kusari-Lila. Ajo kërkoi nga drejtorët që të bëjnë raportime javore si dhe urdhri i parë ishte që duhej të paguheshin borxhet që ishin trashëguar.

11 shkurt – Kusari-Lila bashkë me një delegacion udhëtoi për në Zvicër për të zhvilluar disa takime me biznismenë të njohur për të shikuar mundësinë për të investuar në komunën e Gjakovës.

11 shkurt – Pas reagimeve të AAK-së dhe pronarëve të kafeterive në Çarshinë e Madhe për deklaratat e disa ditëve më parë të kryetares Kusari-Lila për situatën në këtë pjesë të qytetit, zëdhënësi i komunës, Ali Tafarshiku zbuti tonet ndaj kësaj çështje duke thënë se Komuna nuk do ta mbyll asnjë lokal afarist, por ka kërkuar që të mos hapën më dhe se do ketë subvencione për zejtarët.

krena---

12 shkurt – Filloi pastrimi gjeneral i lumit “Krena”, ndërsa Komuna morri vendim që për gjithë ata që kapen duke gjuajtur mbeturina do të gjobiten.

13 shkurt – Në kuadër të vizitave jashtë vendit, Kusari-Lila qëndroi në Firence të Italisë ku u takua me drejtues lokal si dhe afaristë, me temë kryesore bashkëpunimin ekonomik.

18 shkurt – Në Gjakovë festohet 6-vjetori i pavarësisë së Kosovës. Me aktivitete kulturo-sportive dhe homazhe pranë dëshmorëve kaloi ky përvjetor. Komuna nderoi Pajazit Nushin me titullin “Gjakovari i ndritur”, ndërsa me çmimin për “Vepër jetësore” aktorët Hadi Shehu e Hysen Binaku.

mimoza-shehu

18 shkurt – Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga nderoi me çmimin “Urdhri i Lirisë” patriotin Musa Shehzade ndërsa me çmimin “Urdhri i Pavarësisë”, prijësin fetar Sheh Zejnelabedin Dervidana. Dy personalitetet nga Gjakova u nderuan bashkë edhe me 31 personalitete tjera të Kosovës me rastin e 6 vjetorit të pavarësisë.

19 shkurt – Komiteti për Politikë dhe Financa propozoi lokacionin pranë hotel “Pashtrikut” si vend për vendosjen e shtatores së Fadil Hoxhës. Vendimi përfundimtar do të merrej në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë.

22 shkurt – Gjokica Stanojeviç, ish-kryetar i dhunshëm i Gjakovës, përmes një deklarate për medie ri-solli në vëmendje protestat e 6 janarit në Gjakovë. Ai akuzoi Policinë e Kosovës që nuk ishte e aftë të menaxhonte situatën si dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të lejoheshin serbët e Gjakovës t’i vizitonin varrezat.

bordi-drejt

23 shkurt – Përmes një konference për medie, dega e AAK-së në Gjakovë lëshoi akuza të rënda për shpërdorim detyre për drejtorin e Shërbimeve Publike, Etor Hoxha. Përmes një reagimi nga Komuna gjitha pretendimet e AAK-së u hodhën poshtë, ndërsa Kusari-Lila ftoi Prokurorinë të hetojë.

24 shkurt – Në mbledhjen e rregullt të Bordit të Drejtorëve, drejtori i Shërbimeve Publike Etor Hoxha japi dorëheqjen. Hoxha e arsyetoi këtë veprim për faktin se kishte shumë përgjegjësi pasi kishte marrë një dikaster të mbytur në borxhe. Gjithashtu, ai deklaroi se ishte nxituar në shlyerjen e disa borxheve.

28 shkurt – Në një takim me gjithë përfaqësuesit e klubeve sportive gjakovare, kryetarja Kusari-Lila ndau buxhetin për secilin klub. Në total u ndanë rreth 60 mijë euro për 20 klube sportive.

28 shkurt – Mentor Sylmetaj nga radhët e PDK-së u emërua si drejtor për Punë Inspektuese. Me Sylmetajn u kompletua qeveria e Kusari-Lilës, por pas shkarkimit të Etor hoxhës, priste vetëm edhe njeriun që do e zëvendësonte atë.

Asambleja1

28 shkurt – U mbajt mbledhja e dytë e Asamblesë komunale. Me kërkesë të asamblistit të PDK-së, Artan Nimani u hodh në votim kërkesa e tij për heqje të pikës së rendit të ditës ku parashihej caktimi i lokacionit për vendosjen e bustit të Fadil Hoxhës, pasi sipas Nimanit, Hoxha është përgjegjës për shumë dëme që i janë shkaktuar popullit shqiptar. Pas një debati të gjerë, kërkesa e tij u aprovua falë votave të PDK-së, AAK-së dhe Vetëvendosjes./radiogjakova/