.
Published On: Thu, Dec 28th, 2017

Gjakova në atmosferë festive

Share This
Tags

Pak ditë para ndërrimit të moteve atmosfera festive sa vjen e shtohet. Rrugët dhe sheshet kryesore të Gjakovës tashmë janë dekoruar, ndërsa nuk kanë ngelur prapa as ambientet familjare ku në disa pjesë të qytetit po vazhdon gara për dekorimet më atraktive.

Babadimrat po shpërndajnë dhurata gjithandej. Nuk po mungojnë as krismat e mjeteve piroteknike që nganjëherë bëhen të bezdisshme. Qendrat tregtare kanë më shumë punë, ndërsa telashet më të mëdha janë me trafikun e dendur.

Në rrugët kryesore shpesh bëhen kolona të gjata të veturave. Po thonë se kjo është edhe nga fakti se bashkëqytetarët tanë që punojnë e jetojnë në botën e jashtme, tash kanë ardhur për festat e fundvitit në vendlindje për të kaluar festën me të afërmit dhe shoqërinë.

Tollovisë në trafik po i ndihmon edhe numri i vogël i parkingjeve. Policia e trafikut këshillon për kujdes të shtuar në këto ditë të festës.

Komuna po bënë përpjekje që festa ta gjejë qytetin më të pastër. Të enjten edhe pse ditë me shi, punëtorët e kompanisë së pastrimit “Çabrati” kanë punuar në heqjen e mbeturinave nga shtëpitë dhe objektet publike.

Ndryshe, institucionet shtetërore, shoqëria civile dhe bizneset po bëjnë rekapitulimin e vitit 2017 e bashkë me te edhe po i shpalosin synimet për vitin e ri./radiogjakova/