.
Published On: Tue, Apr 24th, 2018

Gjakova në zi; zyrtarë, artistë e qytetarë ngushëllojnë për vdekjen e Kurtit

Share This
Tags

Vdekja e papritur e aktorit të njohur Art Kurti ka ngjallur reagime të shumta. Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini ka shprehur ngushëllime në lidhje me vdekjen e zyrtarit komunal. Përmes një deklarate, shkroi se është i shokuar në lidhje me vdekjen e aktorit.

“Jam i shokuar nga lajmi që kolegu ynë Art Kurti nuk është më me ne. Kolegët e mi dhe unë ndjejmë dhimbje të thellë për këtë humbje. Largimi kaq i hershëm dhe i papritur i Artit, nga familja dhe të gjithë ne do të jetë vështirë e përballueshme”, shkroi Gjini.

Ish-kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila dhe partia e saj, Alternativa, kanë shprehur ngushëllime për vdekjen e 23-vjeçarit.

“Arti ishte njëra nga figurat prezantuese të rinisë gjakovare në Kosovë, duke u angazhuar që përmes artit dhe aktrimit, të sjellë një shembull të mirë për të gjithë. Duke besuar që organet e drejtësisë sa më parë do të zbulojnë motivet e kësaj ngjarje të rëndë, urojmë që ky rast të jetë rasti i fundit në Komunën e Gjakovës”, thuhet në deklaratën e partisë Alternativa.

Reagime ka pasur edhe nga drejtorë e zyrtarë të tjerë komunalë, asamblistë dhe personalitete të tjera nga bota e artit.

“Të shokuar nga lajmi që kolegu ynë Art Kurti nuk është më në mesin tonë! Në emër të Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Gjakovë, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe miqve të Artit. Do na mungosh të gjithëve.”, shkroi drejtoresha për Kulturë, Saranda Hyseni.

“Lajmin që e mora sot nuk kisha dashur ta marrë asnjëherë në jetë, nuk kam fjalë nuk kam tekst, nuk kam zemër të shkruaj për ty. Pusho i qetë Art, të kujtoj gjithmonë i buzëqeshur dhe me plot jetë, me ambicie e ide të llojllojshme”, ka shkruar kolegu tek seriali “O sa mirë” dhe drejtori i Teatrit të Qytetit “Hadi Shehu”, Edi Kastrati.

Radio Gjakova shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Kurti, për komunitetin artistik, bashkëpunëtorët dhe miqtë e të ndjerit.