.
Published On: Sat, Feb 10th, 2018

“Gjakova Press” shënon 10-vjetorin, mirënjohje për të merituarit

Share This
Tags

Revista mujore lokale “Gjakova Press” të shtunën shënoi 10-vjetorin e daljes së numrit të parë.

Ky jubile që festohet së bashku me atë të shtetësisë së Kosovës e gjen këtë revistë si një pjesë të pandashme të historisë së re të Gjakovës që përmes faqeve të saj ka pasqyruar ngjarje me rëndësi dhe fejtone që kanë vënë në pah vlerat e qytetit në shumë fusha dhe data me rëndësi të veçantë për kombin.

Editori i “Gjakova Press”, Zeki Vehapi, tha se rrugëtimi 10-vjeçar i revistës ka qenë i mbushur me shumë vështirësi, por mbështetja e kolegëve dhe intelektualëve të qytetit dhe nevoja për të shpalosur atë pjesë të Gjakovës që ndonjëherë lihet në harresë e ka qenë një shtysë për të vazhduar.

“Ka qenë një rrugëtim i vështirë. Fillimisht erdhi si ide e këndshme, një realizim i një dëshire time të vjetër që Gjakova të kishte një kronikë të sajën. Mirëpo, kemi pasur ditë të vështira që lidhen kryesisht me financat. Mbështetja e kolegëve dhe intelektualëve na ka bërë të vazhdojmë”, u shpreh Vehapi.

Edhe sot sfida më e madhe me të cilën përballet revista “Gjakova Press” mbetet ajo financiare. Kjo revistë mujore lokale e familjare në masë të madhe shpërndahet falas duke bërë që shpenzimet të mbulohen falë mbështetjes së Komunës e bizneseve.

Editori Zeki Vehapi uroi që revistën ta presin ditë më të mira në këtë aspekt. Duke falënderuar bashkëpunëtorët e duke folur për synimet, Vehapi shpreson që “Gjakova Press” të mbajë të njëjtin ritëm edhe vitet e ardhshme.

“Synimet janë që të vazhdojmë me të njëjtin ritëm dhe uroj t’ia dalim. Falë bashkëpunëtorëve ia kemi dalë deri më tani, prandaj i falënderoj të gjithë sepse nuk paguhen për kontributin e tyre, por edhe ata udhëhiqen nga dëshira që t’i lënë diçka Gjakovës”, u shpreh Vehapi.

Për këtë jubile u mbajt ceremonia në sallën solemne të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”. Me këtë rast u ndanë mirënjohje të veçanta për bashkëpunëtorët që kontribuan në rritën e revistës.

Me mirënjohje u nderuan prof.dr. Masar Rizvanolli, pastaj post-mortum për akademikët Esat Stavileci, Myrteza Xajë Nura dhe Halil Haxhosaj. Mirënjohje mori edhe fotografi i shquar Shkelzen Rexha që kujdeset për dizajnin e kësaj reviste. /radiogjakova/