.
Published On: Wed, Mar 5th, 2014

Gjakova pret donatorët me aksion pastrimi

Share This
Tags

aksioni-pastrimiGjakovë- Me 13, 14 e 15 mars Gjakova do të jetë nikoqire e Konferencës së Donatorëve për komunën e Gjakovës. Komunarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë përgatitur disa dhjetëra projekte me të cilët do të tentojnë të sigurojnë investime ndërkombëtare në komunën e tyre.

Por, në fakt kjo nuk do të jetë forma e vetme, përmes së cilës do të tentohet animimi i donatorëve të huaj. Gjatë qëndrimit të tyre në Gjakovë ata do të duhej që ta shihnin edhe një komunë të pastër e me ambient të shëndoshë. Për këtë, komuna e ka nisur një aksion për pastrimin gjeneral të tërë territorit të Gjakovës, aksion në të cilin do të marrin pjesë të gjithë qytetarët në mënyrë vullnetare.

“E kemi nisur këtë aksion sepse ditët në vazhdim do të kemi mysafirë të rëndësishëm në konferencën e donatorëve. Është e turpshme që ne të kërkojmë nga ta mjete për zhvillim të projekteve për përgjithshme, ndërsa nuk mund ta kryejmë një obligim të thjeshtë, obligim qytetar që e ka secili qytetar në secilin vend demokratik, ruajtjen e ambientit”, ka thënë kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo ka apeluar te të gjithë qytetarët që të mos hezitojnë t’i bashkëngjiten këtij aksioni, ndërsa ka premtuar se në shumicën e ditëve do të jetë edhe vetë pjesëmarrëse direkte. Aksioni ka nisur prej të hënës, më 3 mars, ndërsa do të përfundojë me datën 12 mars, pasi në pastrim të jetë përfshirë i tërë territori i komunës. Sipas planit, prej datës 3 deri me datën 5 mars do të pastrohet regjioni i Duashkajës dhe ai i Rekës së Mirë, me datat 6 dhe 7 mars regjioni i Rekës së Keqe, më 8 e 9 mars regjioni i Hasit, ndërsa më 10 e 11 mars qyteti i Gjakovës. Në fund të aksionit, me 12 mars, tërë territorit të komunës do t’i bëhet një kontrollim gjeneral nga ana e kompanisë së mbeturinave “Çabrati”.

Në ditën e parë, qytetarë të shumtë, të mbështetur me pajisje edhe nga dy kompani private, kanë punuar në pastrimin e paralagjes së qytetit Rezina, ndërsa pos kryetares Mimoza Kusari-Lila dhe zyrtarëve tjerë komunalë, aksionit i janë bashkangjitur edhe përfaqësues të subjekteve politike./zeri/