.
Published On: Tue, Jan 9th, 2018

Gjakova pret më e përgatitur testin e PISA-s

Share This
Tags

Kryeministri Ramush Haradinaj gjatë vizitës së tij në Gjakovë ditë më parë tha se “nxënësit gjakovarë nuk guxojnë të dalin më dobët se nxënësit e disa zonave rurale të disa vendeve të tjera fqinje në testin e PISA-s”.

Ai shkoi edhe më tej kur shtoi se “të gjithë mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave nxënësit e së cilës dalin dobët në PISA duhet t’ju vijë turp të shkojnë në shtëpitë e tyre, jo më të vazhdojnë punën”.

Në prill të këtij viti pritet të mbahet Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve i njohur ndryshe si PISA. Kosova ishte pjesë e këtij vlerësimi për herë të parë në vitin 2015, ku ishin përfshirë 28 komuna, 225 shkolla dhe mbi 5 mijë nxënës.

Nga Gjakova ishin përzgjedhur 34 nxënës që të gjithë pjesë e shkollës “Zekeria Rexha”. Rezultatet e dobëta sollën reagime të ashpra. Drejtori i kësaj shkolle, Pleurat Rudi, tha se mënyra e përzgjedhjes së nxënësve, ku kriter është vetëm mosha, kanë bërë që të ketë rezultate të dobëta.

Në këtë test përfshihen vetëm nxënësit 15-vjeçare. Sipas Rudit, në mesin e 34 nxënësve të përzgjedhur për testin e kaluar, 19 kanë qenë nxënës përsëritës.

“Testi PISA është i veçantë nga të tjerët se përfshin vetëm nxënësit 15-vjeçare. Kjo do të thotë se brenda këtyre nxënësve mund të ketë të tillë që kanë përsëritur klasën, prandaj defekti më i madh del që e kemi me këtë grupmoshë. Le të marrim shembull testin Kangaroo ku aty kemi rezultate shumë më të mira. Pse? Sepse përfshin nxënësit nga klasa e dytë deri në të 12-të. Prandaj mendoj se testi PISA nuk pasqyron 100% gjendjen reale të nxënësve tanë”, u shpreh Rudi.

Në të njëjtën linjë mendimi është edhe drejtori i shkollës “Mazllum Këpuska”, Arbënor Pozhegu. Ai ka rreth 35 nxënës si kandidatë potencialë që mund të përshihen në testin e këtij viti.

“Kërkesat e testit PISA janë specifike, kërkesa të cilat ne nuk i aplikojmë në shkollat tona. Kjo nuk do të thotë se ne jemi gabim ose ata, thjesht nxënësit nuk janë mësuar ne një lloj testimi të tillë model i një shteti tjetër. Rezultatet e PISA-s nuk tregojnë gjendjen e diturisë së nxënësve sepse të njëjtit nxënës po arrijnë suksese shumë të mira në testime të tjera jashtë vendit”, u shpreh Pozhegu.

Pavarësisht pikëpyetjeve rreth modelit dhe formulës së përzgjedhjes së nxënësve për testin e PISA-s, përgatitjet për këtë vlerësim kanë nisur. Para një viti nxënësit e shkollave “Yll Morina”, Gjimnazi “Hajdar Dushi” dhe Shkolla e Mesme Ekonomike “Kadri Kusari” ishin përzgjedhur për projektin pilot ku iu ishin nënshtruar testimeve.

Drejtori i shkollës “Zekeria Rexha”, Pleurat Rudi, tha se së shpejti nis edhe një projekt me karakter informues mbi testin e PISA-s në Gjakovë. Megjithatë, ai pranon se kësaj here nxënës e mësimdhënës janë më të përgatitur.

“Falë Ministrisë së Arsimit dhe reagimeve që sollën ato rezultate, nxënësit dhe mësimdhënësit janë më të vetëdijshëm dhe kanë më shumë informacione rreth këtij testi. Ne vetëm kemi nisur me përgatitjet sepse si shkollë dhe si vend duam që të mos dalim të fundit, të jemi mes vendeve të zhvilluara. Besoj se kësaj here do të dalim më mirë”, u shpreh Rudi.

I të njëjtit mendim se Kosova do të ketë rezultate më të mira se në vitin 2015 është edhe Pozhegu, por që shton se nuk duhet të priten mrekullia.

“Personalisht mendoj se do të lëvizim pozitivisht disa vende, por nuk duhet të presim rezultate të jashtëzakonshme sepse nëse shohim historinë e këtij vlerësimi shikon e edhe vendet e tjera kanë bërë progres pas herës së parë në këtë test”, deklaroi ai.

Shqipëria pritet të bëhet pjesë e PISA-s për herë të katërt, por në vitin e dytë kishte arritur rezultate më të mira krahasuar me herën e parë. Pikërisht ky shembull përdoret edhe nga Rudi.

Gjatë këtij muaji do të përcaktohen shkollat dhe nxënësit që do t’i nënshtrohen këtij testi. Ka shumë mundësi që testimi kësaj here të kryhet në formë elektronike dhe nëse një gjë e tillë ndodhë atëherë e vetmja shkollë që plotëson kushtet për të mbajtur këtë testim është shkolla “Zekeria Rexha”, por kjo nuk do të thotë se nxënësit e shkollave të tjera nuk do të përfshihen.

Në të vërtetë, nxënësit potencialë për t’u përfshirë në këtë test që teston zbatimin praktik të njohurive në tri fushat kyçe, ku bëjnë pjesë leximi, matematika dhe shkenca janë të gjithë të lindurit nga data 1 janar deri më 31 dhjetor 2002./radiogjakova/