Gjakova rikthehet në normalitet
Gjakovë- Pas pushimit dy ditorë festiv të Vitit të Ri, të premten punonjësit e të gjitha institucioneve, shërbimeve publike dhe të sektorëve të ndryshme të biznesit, i janë kthyer vendeve të punës, të relaksuar, optimist dhe me vullnetin e mirë që në vitin e posa filluar të arrijnë rezultate sa ma solide në punë, duke sfiduar vështirësitë me të cilat pritet të ballafaqohemi sidomos në rrafshin ekonomik.
Ngecjet në zhvillimin ekonomik bashkë me mungesën e investimeve në këtë sferë, pastaj shkalla e lartë e papunësisë, rritja e dukurisë së korrupsionit, mos-efikasiteti i gjyqësorit si dhe pozita e rëndë sociale gati e gjysmës së popullsisë, mbeten sprovat ma të vështira në të cilat duhet të punohet me përkushtim, ndërgjegje dhe vendosmëri. Parakushtet për këtë janë më reale se kurdoherë.
Prej sot (e premte) me entuziazëm e vullnet e nisë punën edhe qeveria e re komunale e prirë nga kryetarja Mimoza Kusari-Lila, nga e cila pritet një kthesë pozitive në të gjitha sferat e veprimtarive komunale, që na bënë më optimist se nuk do të mungojë vetëdija dhe vullneti i të gjitha subjekteve për t’i shtyrë përpara proceset e zhvillimit të përgjithshëm./radiogjakova/