.
Published On: Thu, Apr 12th, 2018

Gjakova së shpejti nis ndarjen e mbeturinave të riciklueshme

Share This
Tags

Në fund të këtij muaji, saktësisht prej datës 25 prill, në Gjakovë do të nisë skema e ndarjes së mbeturinave të riciklueshme në burim.

Në Gjakovë dhe 6 komuna të tjera që janë përzgjedhur për projektin “Funksionalizimi i sistemit të ndarjes së mbeturinave të riciklueshme në Kosovë” janë përcaktuar zonat ku do bëhet riorganizimi i pikave ku shërbehen qytetarët për hedhjen e mbeturinave, zëvendësimi i infrastrukturës me kontejnerë të rinj si edhe krijimi i kushteve për ndarje të mbeturinave të riciklueshme në pikat e grumbullimit.

Implementuesi i këtij projekti, organizata “Green Art Center” këtyre ditëve, në disa zona të Gjakovës ka informuar qytetarët për rëndësinë e ndarjes së mbeturinave, ndërsa janë mbajtur takime edhe me sektorin joformal ku personat që mbledhin mbeturina janë pajisur me mjete të përshtatshme pune.

Sipas tyre, krijimi i kushteve për ndarje të mbeturinave në burim do të ndihmojë në zhvillimin e ekonomisë së gjelbër duke përkrahur procesin e riciklimit të mbeturinave në nivel vendor, si edhe duke stimuluar grupet joformale që merren me grumbullimin e mbeturinave të riciklueshme drejt formalizimit të kësaj veprimtarie.

Ky është hapi i parë mjedisor në nivel lokal, i cili do të kontribuojë për një sistem efikas të menaxhimit të mbeturinave komunale. Ky projekt financohet nga organizata gjermane GIZ dhe GmbH. /radiogjakova/