.
Published On: Wed, Apr 4th, 2018

Gjakovë, i gjeti në rrugë mbi 2500 euro, qytetari ia kthen të zotit përmes policisë

Share This
Tags

Avni Thaqi nga fshati Kramovik punon si menaxher i një pike karburanti të kompanisë “Al Petrol” po në këtë vend, por të martën paradite disa punë të tjera e sollën në Gjakovë.

Pasi kishte përfunduar punë, gjatë kthimit, në afërsi të Stacionit të Autobusëve gjeti një portofol femrash. Edhe pse nuk dukej sikur kishte ndonjë gjë brenda, aty ishin saktësisht 2576.70 euro. Për Radio Gjakovën, Avniu tregon gjithçka çfarë ndodhi dje (e martë).

“Rreth orës 11:00 kur po kthehesha për të shkuar në punë gjeta një portofol ngjyrë rozë të femrave. Në pamje të parë nuk të jepte përshtypjen se mund të kishte ndonjë gjë brenda. Nga kurioziteti e mora dhe e hapa. Aty shoh katër prerje 500-she, pesë prerje 100-she, një 50-she, 10 euro dhe prerje më të vogla, shuma gjithsej ishte 2576.70 euro”, nis rrëfimin Thaqi.

34-vjeçari fillimisht kishte menduar mos dikush po i bënte ndonjë kamerë të fshehur, por kur e kishte kuptuar se nuk bëhet fjalë për ndonjë shaka, kishte njoftuar menjëherë policinë e cila së shpejti do të merrej me një rast të rrallë.

“Pasi i pash paratë, ngrita kokën dhe shikova nga të gjitha anët se mendova mos është ndonjë kamerë e fshehur. E kuptova që nuk ishte ndonjë shaka, prandaj kërkova për ndonjë numër telefoni, kartëvizitë apo diçka tjetër që ta kontaktoja personin dhe t’ia jepja personalisht. Nuk gjeta gjë. Telefonova policinë dhe ata erdhën, më morën dhe shkuam në Stacionin Policor”, vijoi Avni Thaqi.

Në Stacionin Policor filluan procedurat e zakonshme, u bë deklarata dhe u specifikua shuma. Madje, Avniu mori shumë përgëzime nga zyrtarët policorë për veprimin e tij që kishte vendosur të njoftonte për paratë e gjetura. Ai më pas u kthye në punë dhe nuk vonoi shumë kur mori një telefonatë.

“Pasi përfunduam me procedurat e zakonshme, u ktheva në Kramovik në punë. Aty mora një telefonatë nga një numër i panjohur. Ishte personi të cilit i kishin humbur paratë. Më kërkoi që të takoheshim pasi dëshironte të më falënderonte”, thotë Thaqi.

34-vjeçari mori sërish rrugë për në Gjakovë për të takuar pronarin e portofolit që në fakt ishte një zonjë. Takimi u bë emocional dhe kishte shumë falënderime për Avniun.

“U takuam dhe menjëherë e kam pyetur a janë të gjitha paratë që i kishe para se të humbisje portofolin. Më konfirmoi se gjithçka ishte në rregull. Me lot në sy më falënderoi mbi 100 mijë herë. Aty u ndjeva vërtet mirë, ndjenjë që nuk përshkruhet. Më thanë që ‘akoma paska njerëz të mirë në Kosovë’ iu thash që sigurisht që ka madje ka shumë”, tregon Avniu.

Por, a kishte menduar ndonjëherë se çfarë do të bënte më atë shumë parash? “Nëse do t’i mbaja paratë do të bëja pak qejf, por dikujt do t’i shkaktoja dhimbje, do ta mërzisja shumë, prandaj as nuk pendohem për çfarë kam bërë”, përgjigjet menjëherë Avniu.

Ai tha se në pak kohë ka marrë shumë përgëzime për gjestin e tij. “Më kanë thënë që kisha bërë gjënë e duhur. Familja ime ishte krenare, miqtë e mi, kompania në të cilin punoj. Mendoj se ky ishte shpërblimi më i mirë”, përfundon rrëfimin e tij për Radio Gjakovën Avni Thaqi.

E gjithë rastin e ka konfirmuar edhe Stacioni Policor në Gjakovë që pranoi se nuk iu rastis të merren shpesh me të tilla raste, por thanë se ishte një shembull për t’u ndjekur./radiogjakova/