Gjakovë, pacientët me diabet po shtohen
Gjakovë- Në Ditën Botërore te Diabetit dr. Luan Gola, internist diabetolog dhe shef i Kabinetit të Diabetologjisë në Institutin e Mjekësisë Punës në Gjakovë, ka thënë se sëmundja e sheqerit në komunën e Gjakovës, por edhe në Kosovë, po shënon rritje.
Sipas Golës në komunën e Gjakovës, nga dita në ditë numri i pacientëve me diabet po shtohet. Aktualisht janë rreth 900 persona përdorues të insulinës, ndërkohë që edhe numri i përdoruesve të tabletave kundër sëmundjes së sheqerit është mjaftë i madh.
Diabetologu Gola, ka thënë se në Kosovë, ende mungojnë trajtimet e avancuara të sëmundjes së sheqerit, ndërkohë që ka lavdëruar angazhimin e Ministrisë së Shëndetësisë në sigurimin e insulinës për trajtimin e tipit 1 të diabetit.
Ndryshe, gjatë ditës së enjte në kuadër të Ditës Botërore të Diabetit, në Gjakovë u organizua një ecje simbolike e cila është sinonim i luftimit të kësaj sëmundje, pastaj do të shpërndahen fletushka për sensibilizimin e qytetarëve.
Ndërkohë që me organizim të Kabinetit të Diabetologjisë në Institutin e Mjekësisë së Punës dhe në Qendrën Tregtare “ETC” do të bëhet matja falas e pranisë së sheqerit në gjak, për qytetarët e interesuar./radiogjakova/










