Gjendet pa shenja jete aktori Art Kurti, policia nis hetimet
Aktori Art Kurti, i angazhuar së fundmi edhe si këshilltar pranë Kabinetit të Kryetarit të Komunës së Gjakovës, është gjetur mëngjesin e së martës pa shenja jete në një makinë që besohet të jetë e një shoku të tij.
Policia kishte marrë informatë në orën 07:50 minuta dhe në vendin e quajtur Qafa e Zabelit në rrugën Gjakovë-Goden brenda makinës ka gjetur 23-vjeçarin me një plagë me armë zjarri si dhe pistoletën.
Zyrtarë policorë njoftuan se në bazë të shenjave të para dyshohet për vetëvrasje, mirëpo pas hetimeve do të kuptohet se çfarë ka ndodhur në të vërtetë.
Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi dhe priten konstatimet e të gjitha provave në vendin e ngjarjes. Arma e cila është gjetur pranë trupit të pajetë të aktorit ka qenë e paregjistruar dhe pa leje.
Prokuroria Themelore e Gjakovës konfirmoi nisjen e hetimeve në lidhje me këtë rast. Po ashtu, është njoftuar se është intervistuar shoku i të ndjerit e të cilit i përkiste edhe makina.
Besohet se 23-vjeçari të hënën mbrëma ka qenë në një festë me shoqërinë, por pas largimit me veturën e shokut, kanë humbur edhe kontaktet si dhe nuk iu është përgjigjur thirrjeve telefonike të familjarëve./radiogjakova/