.
Published On: Fri, Nov 11th, 2016

Gjimnazi “Hajdar Dushi” ka kremtuar 63 vjetorin e themelimit

Share This
Tags

Institucioni më i madh komunal i arsimit të mesëm në Gjakovë, Gjimnazi “Hajdar Dushi” sot ka kremtuar ditën e shkollës, përkatësisht 63 vjetorin e themelimit. Me këtë rast në një ceremoni që është organizuar në këtë shkollë, u tha se kjo vatër arsimore ishte dhe është model i edukimit të brezave. Si mbështetje e kësaj janë sukseset e nxënësve të kësaj shkolle të cilët po arrijnë në të gjitha fushat . Drejtoresha për Arsim në Kuvendin e Komunës së Gjakovës, Diana Qarkaxhia, tha ndër të tjera se puna që bëjnë mësimdhënësit por edhe stafi menagjues, po bëjnë që modelet e planprogramet që arrihen këtu praktikohen edhe në komunat tjera.

Bedri Cahani, drejtor i gjimnazit, tha se shënimi i këtij përvjetori të këtij gjimnazi është i rëndësishëm jo vetëm për Gjakovën por për gjithë Kosovën. Cahani para të pranishmëve ka numëruar sukseset e kësaj shkolle që sipas tij janë të mëdha. Mirëpo ka folur edhe për objektivat që ka shkolla për të ardhmen, ndër të cilat është edhe digjitalizimi I shkollës, bashkëpunimi me shkollat tjera model në nivel vendi dhe ndërkombëtar etj.

Në kuadër të shënimit të përvjetorit të këtij gjimnazi nga nxënësit e shkollës është shfaqur një program kulturo-artistik, ndërkohë që është hapur edhe një ekspozitë e artit figurativ me punime të nxënësve të kësaj vatre shkollore.