Gjini kërkon mbështetjen e BERZH-it për 4 projekte
Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, të premten mori pjesë në takimin trepalësh mes Qeverisë, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe kryetarëve të komunave të Kosovës.
Para shefit të Zyrës së BERZH-it në Prishtinë, Neil Taylor, kryetari Gjini prezantoi katër projektet për të cilat kërkohet mbështetja e këtij institucioni. Vlera totale e këtyre projekteve është mbi 8 milionë euro.
Të 4 projektet janë infrastrukturore dhe i pari e më prioritar është ai i daljes për Deçan. Sipas Gjinit, kjo rrugë e cila është ndërtuar 40 vite më parë ka një ngarkesë të jashtëzakonshme dhe i gjithë komunikacioni drejtohet përmes qytetit.
“Dalja për Deçan është ndërtuar rreth vitit 1976 dhe ka mbetur ashtu deri më sot. Zhvillohet trafik shumë i dendur, kalon nëpër rrugë të ngushta nëpër qytet. Vlera e këtij projekti që për ne është prioritar është 3 milionë e 293 mijë euro”, tha Gjini.
Një projekt tjetër i paraqitur nga Komuna e Gjakovës është transiti (Rezina) që do të shkarkonte trafikun prej aksit Pejë-Prizren apo anasjelltas pa hyrë në qytet.
“Gjakova është në mes të Rrafshit të Dukagjini ku kalon aksi kryesor prej Pejës deri në Prizren dhe praktikisht i gjithë trafiku i Dukagjinit kalon përmes qytetit dhe rrugicave të ngushta. Vlera e këtij projekti është 4 milionë e 163 mijë euro”, deklaroi Gjini.
Kreu komunal prezantoi edhe dy rrugë rurale të cilat do të mund të shkurtonin distancën kohore mes tyre siç është rruga Lipovec-Goden dhe Meqë-Cërmjan.
“Këto fshatra kanë afërsi shumë të madhe mes vete, por rrugët janë rrethore dhe në vend se të udhëtohet 10 minuta, udhëtohet një orë. Vlera e këtyre dy projekteve është 500 mijë euro secila”, tha Gjini.
Përpos projekteve të prezantuara nga kryetari Gjini, Gjakova mund të jetë përfituese edhe projekteve të tjera të prezantuara nga Qeveria siç është ai për ndryshimin e gypave të ujësjellësit, studimi i fizibilitetit të Aeroportit të Gjakovës, ai për rehabilitimin e shtretërve të lumenjve, atë për ujëmatës digjitalë për çdo shtëpi, projekte në energji të ripërtërishme etj.
Takimi i së premtes i iniciuar nga kryeministri Haradinaj pati për qëllim avancimin e mëtutjeshëm të këtyre projekteve, për të gjetur mundësinë më të shpejt të investimit dhe realizimit e tyre.
Institucionet e përfshira në këtë proces tani do të listojnë projektet prioritare, të cilat do të mbështeten nga BERZH-i dhe Qeveria e Kosovës./radiogjakova/