.
Published On: Mon, Dec 11th, 2017

Gjini pranon detyrën e kryetarit të komunës

Share This
Tags

Ardian Gjini zyrtarisht pranoi detyrën si kryetar i komunës së Gjakovës. Në një ceremoni të organizuar nga tashmë ish-nënkryetari Armend Vokshi, u bë edhe ndërrimi i pushtetit.

Në zyrën që tashmë i takon Gjinit, ky i fundit dhe Vokshi patën fjalë urimi dhe falënderimi për njëri-tjetrin. Vokshi i dorëzoi edhe raportet e secilës drejtori për punën që kanë bërë në 4-vjeçarin e fundit, ndërsa Gjini shprehu mirënjohje për angazhimin në të mirë të qytetarëve.

Menjëherë pasoi një takim me dyer të mbyllura mes Gjinit dhe Vokshit që zgjati rreth 15 minuta, ku morën pjesë edhe bashkëpunëtorët e ngushtë të kryetarit të ri dhe ish-nënkryetarit.

Në prononcimin për media, Vokshi uroi Gjinin për një mandat të mbarë dhe punë për zhvillimin e mëtutjeshëm të komunës. Ai ftoi edhe ish-vartësit e tij të bashkëpunojnë ngushtë me ekipin kryetarit të ri.

“Ne dorëzuam raportet e punës 4-vjeçare, të projekteve që kanë nisur dhe ato që janë planifikuar pasi janë të domosdoshme për vijimin e punës. Gjithashtu i uroj punë të mbarë z. Gjini dhe shpresoj që të realizohen të gjitha projektet në mënyrë që të përfitojë komuna”, u shpreh Vokshi në fjalën e tij.

Ndërsa Gjini pasi falënderoi Vokshin për punën e bërë, tha se do të angazhohet maksimalisht që të çojë përpara të gjitha projektet në të mirë të qytetit.

“Do të angazhohem maksimalisht, shpresoj të kem bashkëpunimin e të gjithë punonjësve të administratës dhe qytetarëve të komunës, pasi kërkohet një punë e përbashkët që të arrijmë gjëra të mëdha”, deklaroi Gjini.

Vokshi më pas e shoqëroi kryetarin e ri në ambientet e Komunës ku e njoftoi edhe me zyrtarë të tjerë komunalë.

Ndërsa krejt në fund, ish-nënkryetari së bashku me njerëzit e kabinetit të tij u larguan nga ambientet e Komunës, ndërsa Gjini u kujdes t’i shoqëronte deri në hyrje.

Me këtë akt moral e demokratik, Gjakova nis një kapitull të ri nën udhëheqjen e Ardian Gjinit, të cilit i mbetet edhe akti formal, ai i betimit që do ta bëjë më 18 dhjetor dhe emërimi i drejtorëve në mënyrë që të plotësohet qeveria e re lokale dhe të nis puna për 4-vjeçarin e ardhshëm./radiogjakova/