Gjini: Trashëgova mbi 13 milionë euro borxhe
Kryetari Ardian Gjini mbajti pasditen e së premtes konference për media ku tregoi mbi gjendjen financiare të Komunës së Gjakovës. Ai u shpreh se organizoi këtë konferencë, që do të jetë e vetme nga prizmi politik, pasi qyetatrët e Gjakovës meritojnë të dinë se çfarë gjendje ka trashëguar.
Gjini deklaroi se në total ka trashëguar borxh në vlerë prej 13 milionë e 330 mijë euro. Sipas tij, prej kësaj shume 9 milionë e 73 mijë euro janë borxhe të rrjedhshme që kanë të bëjnë me kontrata që kanë filluar, por janë paguar pjesshëm.
“Borxhe të faturuara të Komunës janë 4 milionë e 258 mijë euro prej të cilave 1 milionë e 820 mijë janë eksporime, tjerat janë kontrata që nuk janë paguar ose borxhe të tjera që janë në zyre të ndryshme të Komunës. Ndërsa 9 milionë e 73 mijë euro janë borxhe të rrjedhshme, të cilat janë përmendur me vite prej të kaluarës e që janë të njëjta, që kanë të bëjnë me kontarat që kanë filluar e që janë paguar pjesshëm. Janë kontrata kryesisht të infrastrukturës që kanë nis mirëpo borxhet mbesin deri në vitin 2021 sepse kështu është nis procesi. Totali i borxheve që i trashëgon administrata ime janë 13 milionë e 330 mijë euro”, shpreh Gjini.
Kryetari i Gjakovës tha se gjatë qeverisjes së administratës së kaluar investimet kapitale kanë rënë prej 31% në maksimum 22% , ndërsa ka pasur vite kur këto investime kanë zënë vetëm 18% të buxhetit të përgjithshëm.
Kryetari Gjini tha se përkundër borxheve për çdo vit Komuna ka pasur suficit. Ai e quajti këtë si keqmenaxhim të buxhetit dhe mospërgjegjësi për të paguar borxhet.
Gjini tha se suficiti për çdo vit nga ai 2014 ka qenë në rritje. Ai u shpreh se kanë humbur edhe mjetet e granteve qeveritare dhe kur këto humbin Komuna nuk i merr më.
“Në fund të vitit 2014 Komuna i ka pasur 420 mijë euro suficit, prej tyre 385 mijë kanë qenë të hyra vetanake, ndërsa 35 mijë grante. Në vitin 2015 kanë qenë 674 mijë euro suficit, 60 mijë të grantit qeveritar, ndërsa 614 mijë të hyra vetanake. Në vitin 2016 suficiti ka shkuar në 1 milion e 297 mijë euro prej të cilave 26 mijë grant, ndërsa 1 milion e 81 mijë të hyra vetanake. Në vitin 2017 suficiti ka mbërritur në 1 milion 830 mijë euro, prej tyre 635 mijë euro grant dhe 1 milion e 194 mijë euro të hyra vetanake”, vijoi Gjini.
Kreu i Gjakovës tha se janë 41 projekte të kontraktuara e të cilat do të vazhdojnë deri më 2021 pasi kështu janë planifikuar. Ai tha se ka projekte edhe në shuma deri në 300 mijë euro që janë shpërndarë mjete në vite të ndryshme. Sipas tij, këto lloj projektesh janë elektorale për të treguar sikur punohet.
Për shpronësimet, Gjini tha se kulmi ka qenë vitin e kaluar. Sipas tij ka qenë vetën një shpronësim që është te Kulla e Sulejman Vokshit që në vlerësimin e parë kap vlerën e 1 milion e 191 mijë eurove. Sipas tij, Komuna nuk ka ndarë as mjete dhe nuk ka as plan se çfarë do të bëjë pas shpronësimit.
Gjini tha se ka pasur edhe nënshkrime të kontratave që nuk janë buxhetuar.
“Prej viti 2016 Komuna ka nënshkruar kontratë për rinovimin e e objektit të Komunës dhe ndërtimit të aneksit. Sipas kontratës, Komuna duhej të ndante 500 mijë euro, por i kanë buxhetuar vetëm 200 mijë euro, kjo është e paqartë. Ka edhe raste kur obligimet nuk janë buxhetuar fare si në rastin e ndërtimit të objektit të ‘Handikos’ me ‘Save the Children’ apo projekti i zgjerimit të rrjetit të uëjsjellësit apo fabrika e re me KRU ‘Radoniqi’”, u shpreh Gjini.
Gjini tha se administrata e tij tashmë po harton planin për pagesën e këtyre borxheve, por premtoi se investimet nuk do të ndalen. Ai ka thënë se është fat i Komunës që shumica prej projekteve do të financohen nga Qeveria e Kosovës dhe kjo garanton mbylljen e këtyre projekteve me sukses./radiogjakova/