Grabitet argjendaria në Çarshinë e Vogël, arrestohen autorët
Argjendaria “Darwil” në Çarshinë e Vogël të Gjakovës me pronar Fahridin Zhaveli ka qenë cak i një vjedhje në orët e para të ditës së premte. Katër të rinj kishin hyrë me dhunë dhe kishin marrë bizhuteri në vlerë prej 5 mijë eurosh.
Mirëpo, falë efikasitetit të Policisë së Gjakovës është arritur të kapen menjëherë të dyshuarit dhe t’ju konfiskohen gjësendet e vjedhura.
Komandanti i Stacionit Policor në Gjakovë, major Kristë Gjokaj, i tha Radio Gjakovës se patrullat e zakonshme të policisë kishin hasur në një automjet të dyshimtë me targa 01 dhe e kishin ndaluar.
Gjatë kontrollit është vënë re se në bagazh ka pasur një numër të konsiderueshëm të bizhuterive si orë dore, vathë, zinxhirë ari etj., si dhe një sasi të vogël të marihuanës. Të ndalurit janë 2 meshkuj nga Prishtina dhe 2 femra nga Peja rreth moshës 20-vjeçare.
Majori Gjokaj u shpreh se të ndaluarit dyshohen edhe për vepra të tjera të ngjashme edhe në komuna të tjera, por rasti është në hetim. Të arrestuarit po mbahen në ndalim policor./radiogjakova/