Gratë e dhunura kërkojnë më tepër mbështetje
Gratë viktima të dhunës në familje, të cilat për shkak të veprimeve arbitrare të familjarëve detyrohen që të lëshojnë shtëpinë e bashkëshortit, në shumicën e madhe të rasteve mbesin pa kurrfarë mbështetje meqë ato rëndom nuk i pranon edhe shtëpia e prindërve.
Vendosja e tyre në Qendra Strehuese është vetëm një veprim i përkohshëm, meqë për socializmin e plotë të tyre dhe kthimit në jetë normale, atyre ju nevojitet një kulm mbi kokë ku ato do të mund të rifillojnë jetën.
Gjon Luli, drejtor i Qendrës për Punë Sociale në Gjakovë, ka thënë se gratë që kanë përjetuar dhunë, paraqesin një shqetësim permanent të punonjësve të këtij institucioni, ndërkohë që, sipas tij, është më se e domosdoshme të krijohet mundësia për zgjidhjen e çështjes së banimit për viktima të dhunës.
Për të krijuar mundësi për zgjidhjen e kësaj çështje, kohë më parë është bërë nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit mes Shtëpisë së Sigurt në Gjakovë dhe Kuvendit komunal, përkatësisht Komitetit për Strehim, për mbështetje të grave viktima të dhunës në familje si dhe dhunës në baza gjinore, pa dallim moshe dhe etniteti.
Lidhur me këtë, Sakibe Doli-Dobruna, drejtoresh e Shtëpisë së Sigurt, është shprehur optimiste se një marrëveshje e tillë do të krijojë parakushtet e domosdoshme për të filluar zgjidhja e një problemi shumë të madh që ka kjo kategori e grave./radiogjakova/