.
Published On: Thu, Mar 8th, 2018

Gratë sipërmarrëse tregojnë mbi vështirësitë që përballen në biznes

Share This
Tags

Shoqata Afariste e Gruas “She-Era” në bashkëpunim me shoqatën Iniciativa e Femrës Kosovare paraditen e së enjtes organizuan tryezën “Nuk festojmë por kërkojmë të drejta dhe barazi”.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte diskutimi i problemeve dhe nevojave që gratë hasin gjatë ushtrimit të veprimtarive sipërmarrëse, të drejtat e grave në tregun e punës dhe të drejtat e barabarta në përfitimin e granteve qeveritare.

Ardiana Çela Baraku nga shoqata “She-Era” tha se fakti që femrat në shumicën e rasteve nuk e gëzojnë të drejtën e trashëgimisë familjare, sidomos atë të pronës, ju krijon vështirësi në krijimin e bizneseve.

“Dihet që gratë nuk trashëgojnë prona dhe kjo ju shkakton problem në marrjen e kredive, pastaj kemi vështirësi në aplikim për grante për të cilat mundohemi t’i këshillojmë dhe t’ju lehtësojmë procesin”, u shpreh Baraku.

Eranda Kumnova nga Iniciativa e Femrës Kosovës ftoi gratë që të regjistrojnë pronën e përbashkët si dhe të regjistrojnë bizneset joformale, pasi kështu kanë më shumë përfitime.

“Janë tre mesazhe që duhet të dalin e që janë regjistrimi i pronës së përbashkët, regjistrimi i biznese joformale dhe nxitja për ide kreative, hapje biznesesh e punësim të femrave të tjera”, u shpreh Kumnova.

Zyrtarja për Barazi Ligjore, Lumnije Shllaku, inkurajoi femrat që të merren me biznes, si dhe të shfrytëzojnë thirrjet për aplikim për grante nga sektorë të ndryshëm.

“Fuqizimi ekonomik i gruas është shumë i rëndësishëm jo vetëm për ju apo familjen tuaj, por për shoqërinë dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Prandaj, ju këshilloj të përfitoni nga grantet dhe të hapni bizneset tuaja”, tha Shllaku.

 Në këtë tryezë mori pjesë edhe kryetari Ardian Gjini i cili tha se situata e femrave në biznes nuk është ajo që duan, por është më e mirë sesa ka qenë viteve të kaluara.

“Nëse e shohim gjendjen tani, sigurisht nuk është ajo që duam ne të jetë, por nëse bëjmë krahasime me të kaluarën, sigurisht që është më mirë. Por, duhet të kemi të qartë edhe vizionin, se ku duam të shkojmë”, deklaroi Gjini.

Tryeza vijoi me shpalosjen e problematikave nga gratë që janë në biznes dhe shkëmbimi i mendimeve mbi zgjidhjen e këtyre problemeve./radiogjakova/