Hapet ekspozita “Përtej shqisave” e Argenita Fetahut dhe Andin Bakija
Me aktivitete të ndryshme kulturore po vijon kremtimi i 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës në Gjakovë.
Në ambientet e Muzeut Etnografik të martën u hap ekspozita “Përtej shqisave” e dy artistëve të rinj të nivelit master nga Gjakova, piktoren Argenita Fetahu dhe skulptorin Andin Bakija.
Duke folur për brendinë e 9 pikturave të ekspozuara në këtë ekspozitë në teknikën vaj dhe pëlhurë, piktorja Fetahu, ka veçuar motivin kryesor i cili dominon në punimet e saja.
“Duke mos i ikur subjektivitetit kam realizuar piktura me motive ‘argenitase’. Qysh në start unë prezantoj vetveten, punën, mendimet apo botën time, kam një fustan, që i takon nënës sime por që e mbaj të veshur unë pasiqë jam modeli, plus kësaj paraqitet në mënyrë të tërthortë një etapë e jetës sime”, tha Fetahu.
Në anën tjetër, piktori Andin Bakija, është shprehur optimist se, përkundër stilit paksa abstrakt, skulpturat e tij shumë shpejt do ta gjejnë adhuruesit e vet dhe do të komunikojnë mirë me të gjitha ata që e pëlqejnë këtë degë të artit.
“Tejkalimi i ndjenjës nëpërmjet të gjitha informacioneve të cilat u krijuan nga shqisat, vjen si rrjedhojë e shprehjes së shpirtit që i përmbushë të gjitha kërkesat e një karakteri të dëshiruar nga të gjithë ne. Ëndrrat e realizuara pa asnjë shpresë dështimi dhe arritjet më të larta në këtë jetë apo tjetrën, krijesat që i solla në jetë nëpërmjet një materiali të caktuar i arrijnë ato”, u shpreh Bakija.
Ekspozita e artit pamor e hapur të martën në Muzeun Etnografik në Gjakovë, mbështetur nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport, do të jetë e hapur 10 ditë, saktësisht deri më 23 shkurt./radiogjakova/