Haradinaj premton mbështetje për projektet e KRU “Gjakova”
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur të mërkurën në takim menaxhmentin e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”, të udhëhequr nga drejtori Ismet Ahmeti.
Në takim është biseduar për vazhdimin e fazës së dytë të zhvillimit të projektit për furnizim me ujë të pijshëm të 100 fshatrave në komunat Gjakovë, Rahovec dhe Prizren.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ministri i Financave, Bedri Hamza dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Në takim është dakorduar që të vazhdojë mbështetja financiare, e mbetur në gjysmë për finalizim e fazës së dytë të këtij projekti, i cili planifikohet të përfundojë në shtator të 2018-ës.
Nga ky projekt do të përfitojnë direkt familjet e 100 fshatrave nga këto komuna të cilët do të furnizohen me ujë të pijshëm.
Kryeministri Haradinaj e vlerësoi shumë të rëndësishëm realizimin e këtij projekti, duke thënë se është i domosdoshëm për përmirësimin e jetës së qytetarëve, dhe premtoi mbështetjen e Qeverisë për të gjitha projektet që janë në shërbim të rritjes së mirëqenies së qytetarëve.