Hasjanët paralajmërojnë Komunën: Mos na harroni!
Hasi njihet si regjion me njerëz të urtë e punëtorë të palodhshëm, por gjithashtu edhe si kontributdhënës në të gjitha periudhat historike, me theks të veçantë gjatë luftës së viteve ‘98–‘99. Por, as njëra e as tjetra nuk kanë ndikuar që pushtetet që kanë ardhur njëri pas tjetrit, në veçanti pushtetet lokale të përkujdesen në mënyrë të veçantë për të.
Fshatrat e regjionit të Hasit të Gjakovës, sot janë fshatrat më të harruara në Kosovë, fshatra ku dora e shtetit është vërejtur shumë pak, për të mos thënë aspak. Këtë e konfirmojnë në Rogovë, Damjan, Gërqinë, Ujz e Pnish, të gjitha fshatra këto që secili ballafaqohet me probleme e mungesa të shumta. Hasjanët thonë se janë të zhgënjyer me qeverisjen e kaluar lokale në Gjakovë, por kanë shpresë dhe dëshirojnë që një përvojë e tillë të mos u ndodhë edhe me qeverisjen e re.
Tashmë ata kërkojnë që votat e ndryshimit që i dhanë në zgjedhjet lokale t’u kthehet me investime konkrete. E garanci se Hasi dhe hasjanët nuk do të harrohen nga qeverisja lokale ka dhënë zëdhënësi i Komunës së Gjakovës Ali Tafarshiku. Ai ka thënë se komuna do të angazhohet ta rrisë numrin e investimeve në këtë regjion, por jo për shkak të votave, por për shkak të kontributit që ky regjion e ka dhënë për vendin.
Tafarshiku ka shtuar se kryetarja Kusari-Lila po zhvillon takime me banorët e të gjitha zonave të komunës së Gjakovës, përfshirë edhe ata të zonës së Hasit, me të cilët po bashkëbisedon dhe po tenton të gjejë zgjidhje për problemet e tyre./radiogjakova/