.
Published On: Thu, Mar 29th, 2018

Heronjtë e dekoruar, Kosova i përulet trimërisë së 6 dëshmorëve të Gjakovës

Share This
Tags

Gjakova, qytet i lirisë, atdhedashurisë dhe pavarësisë të enjten nderon edhe 6 heronj të dekoruar. Presidenti Thaçi me motivacionin për trimëri dhe sakrificë për lirinë e Kosovës dekoroi me urdhrin “Hero i Kosovës” dëshmorët Përmet Vula, Elton Zherka, Ilir Soba, Sadedin Shehu, Bujar Roka dhe Hamëz Zymberi.

Në ceremoninë e organizuar pasditen e së enjtes në Kuvendin e Komunës iu dorëzuan edhe medaljet familjarëve të heronjve.

Për shkak të angazhimeve të tjera, Presidenti Thaçi nuk mori pjesë në këtë ceremoni. Mirëpo, përmes një adresimi për qytetarë, Thaçi njoftoi për vendimin e tij duke shtuar se “heronjtë, dëshmorët dhe martirët janë çmimi i lirisë sonë. Ata do të jenë gjithmonë frymëzim i përditshëm që ta ruajmë lirinë për të cilën dhanë jetën”.

Në emër të Presidentit Thaçi, familjet e heronjve i përshendeti këshilltari i tij, Veli Bytyqi. Ai tha se Gjakova përherë ka qenë vatër e trimave, ndërsa ngriti lartë figurën e 6 heronjve.

“Ndihem i nderuar që jam këtu për të ndarë urdhrat për këta heronj, por në të njëjtën kohë ndihem i vogël përpara kontributit të këtyre djemve dhe rajonit të Gjakovës i cili ka ditur që në çdo kohë të japë burra për çlirimin e vendit”, tha Bytyqi.

Ndërkaq, kryetari i Komunës, Ardian Gjini, deklaroi se edhe pse me vonesë, vendimi për t’i dekoruar këta dëshmorë mirëpritet si nga familjarët, bashkëluftëtarët edhe nga institucionet lokale.

“Mendoj se ky vendim është i vonuar, por pavarësisht kësaj është i drejtë dhe i qëlluar. Me këtë akt, po bëhet vlerësimi real për kontributin që Gjakova dhe banorët e Gjakovës e kanë dhënë në luftën për liri”, tha Gjini.

Në këtë ceremoni prezentë kanë qenë edhe familjarë e bashkëluftëtarë të heronjve. Në emër të tyre falënderoi ish-komandanti i Brigadës 137 Gjakova, Agron Kryeziu, i cili shtoi se ky është një nderim plotësisht i merituar që u bëhet heronjve të Gjakovës.

Familjarë të heronjve, mes emocionesh, janë shprehur krenarë për bijtë e tyre, ndërsa thanë se ndihen të nderuar me vlerësimin nga Presidenti Hashim Thaçi. Ceremonia u përmbyll me dorëzimin e medaljeve.

Medaljoni i Urdhrit “Hero i Kosovës” përmban portretin e Skënderbeut dhe është i punuar në ar. Kjo dekoratë shtetërore e Kosovës u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës të kohëve moderne nga Lidhja e Prizrenit e këndej, si dhe qytetarëve të Kosovës që kanë bërë vepra trimërie për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës./radiogjakova/