Hulumtimi mbi PISA-n në Gjakovë, mbi 57% e nxënësve “pak të gatshëm” për testim
U publikuan rezultatet e një hulumtimi mbi njohuritë e nxënësve mbi testin PISA. Drejtoresha e shkollës “Fehmi Agani”, Majlinda Doli, tha se janë përfshirë 59 nxënës nga 4 shkolla.
Përpos nxënësve të saj, aty janë përfshirë edhe nxënësit 15-vjeçarë të shkollave “Mazllum Këpuska”, “Anton Çetta” dhe “Bajram Sadrija”. Të gjitha këto shkolla janë pjesë e Komunitetit të të Mësuarit së Bashku “Ylli”.
“Në këtë hulumtim janë përfshirë 34 meshkuj dhe 25 femra. Nga shkolla ‘Mazllum Këpuska’ janë përfshirë 34 nxënës, nga ‘Fehmi Agani’ 16, nga ‘Bajram Sadrija’ 3 dhe nga ‘Anton Çetta’ 6”, deklaroi Doli duke shtuar se ky hulumtim tregon më shumë mbi mënyrën se si duhet të përgatiten nxënësit që do të përfshihen në këtë testim.
Nga ky hulumtim doli se 81.35% e nxënësve kanë pak njohuri mbi testin PISA, ndërsa 57.62% janë përgjigjur me “Pak” kur janë pyetur nëse ndihen të gatshëm të bëhen pjesë e këtij vlerësimi.
Rreth 81.36% janë shprehur se kanë nevojë për njohuri shtesë para se t’i nënshtrohen testit PISA, ndërsa mbi 76% u shprehën se do të ishin të privilegjuar të përfaqësonin Kosovën në këtë testim.
Nxënësit e përfshirë në këtë hulumtim në masë të madhe, mbi 93% shprehën të gëzuar që edhe Kosova është pjesë e PISA-s dhe 72% e tyre kanë dëshirë që njohuritë t’i masin me ata të bashkëmoshatarëve të tyre nga shtetet e tjera të Europës. /radiogjakova/










