.
Published On: Wed, Feb 28th, 2018

I ftohti lë nxënësit në shtëpi, shkollat në pushim të detyruar

Share This
Tags

Temperaturat e ulëta dhe reshjet e borës ndërprenë procesin mësimor.

Ministria e Arsimit mori vendim që të mërkurën të mos mbahet mësim në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë. Këtë vendim, ministri Bytyqi e mori për shkak të motit të lig që po mbretëron këto ditë në vendin tonë dhe paralajmërimit për temperatura të ulëta gjatë ditës së mërkurë.

Vendimi i Ministrisë së Arsimit u konfirmua edhe nga Drejtoria e Arsimit në Gjakovë e cila iu shpërndau atë menjëherë të gjithë drejtorëve të shkollave.

Kjo ditë e humbur e mësimit do të zëvendësohet në një ditë tjetër deri në fund të këtij viti shkollor. Për këtë do të vendoset nga Ministria e Arsimit dhe Drejtoria komunale e Arsimit.

MASHT ka lënë të hapur mundësinë që edhe dita e enjte të jetë pushim për arsye të njëjta, por fillimisht do të konsultohet me Këshillin e Prindërve e më pas do të merret vendim.

Pikërisht për të shmangur ndërprerjen e procesit mësimor për shkak të kushteve atmosferike këtë vit për herë të parë u zhvendos në kohë edhe pushimi që ndan dy gjysmëvjetorët, por gjatë periudhës kur nxënësit ishin me pushime nuk pati reshje bore.

Vetëm në dy javët e fundit nxënësit kanë marrë 3 herë njoftime për ndërprerje të përkohshme të mësimit, në dy raste për grevë ndërsa të mërkurën për motin.

Më 12 mars është paralajmëruar një tjetër ditë pushimi për nxënësit për shkak se mësimdhënësit do të jenë sërish në grevë./radiogjakova/