.
Published On: Sat, Jan 24th, 2015

Jabllanoviq: S’kam ndërmend të jap dorëheqje

Share This
Tags

jabllanovic-aleksanderNë Kosovë ende ka protesta me kërkesë dorëheqjen e ministrit, Aleksandar Jabllanoviq, nga Lista Serbe. Në një bisedë për DW, ai kërkon falje për ofendimin ndaj nënave të viktimave, por hedh poshtë opsionin e dorëheqjes.

Ministri i Qeverisë së Kosovës ka thënë se fjalët e tij kanë qenë për një grup njerëzish dhe jo për nënat që siç ka thënë ai, kanë protestuar në mënyrë dinjitoze. Duke hequr “dyshimin” se mund të japë dorëheqje, Jabllanoviq ka shtuar se deklaratat e tij nuk mund të jenë shkas për protesta.

Më poshtë një pjesë e intervistës së Aleksandër Jabllanoviq.

Deutsche Welle: Zoti ministër Jabllanoviq, këto ditë ka pasur dhe do të ketë sërish protesta për shkak të ofendimit tuaj ndaj nënave të viktimave nga Gjakova. Pse i keni quajtur nënat e viktimave “egërsira” dhe cili është qëndrimi juaj ndaj protestave?

Aleksandar Jabllanoviq: Unë që në fillim dua të them që më vjen shumë keq që një deklaratë e imja nga 6 janari, e dhënë me qëllim që të dënoj sulmet ndaj njerëzve të zhvendosur dhe që kanë dashur të futen në kishën e tyre, ka shkaktuar gjithë këto reagime. Unë kam dashur që të dënoj sulmet ndaj të zhvendosurve. Mirëpo disa media e kanë interpretuar gabimisht deklaratën time dhe i kanë dhënë një konotacion politik, me shpjegimin se unë kam ofenduar gjoja të gjithë qytetarët e Gjakovës, si dhe familjet që kanë humbur më të dashurit e tyre. Si ministër dhe politikan unë nuk mund të lejoj që deklaratat e mia të përdoren si shkas për demonstrata. Për këtë shkak, para disa ditësh, unë i kam kërkuar falje të gjitha nënave që kanë humbur më të dashurit. Deklarata ime nuk ka të bëj fare me këto nëna.

Por ju me siguri qe e keni të qartë që forcat serbe kanë bërë krime në Kosovë, në veçanti në disa rajone të Dukagjinit, ku janë vrarë familje të tëra nga forcat serbe. Ju me siguri që i dini këto të dhëna, ndaj befason ofendimi i familjarëve të viktimave?

Mesazhi im ka qenë i adresuar në drejtim të një grupi të njerëzve, të cilët kanë qëlluar me gurë autobusët me serbë të zhvendosur. Ndërsa nënat kanë protestuar në mënyrë shumë dinjitoze, të qetë dhe plotësisht të pranueshme. Ato kanë të drejtë demokratike të protestojnë. Gjatë luftërave, për fakt të keq, ka viktima të shumta. Organet e drejtësisë dhe gjykatat speciale duhet të përcaktojnë se kush është fajtor për krime, që të gjejnë fajtorët dhe t’i dënojnë ata, sepse kjo është në të mirën e të gjithë neve që duam fitoren e drejtësisë.

Do të thotë ju mendoni se të gjithë ata që kanë bërë krime duhet të dënohen?

Duhet të dënohen, pavarësisht nga përkatësia kombëtare apo fetare. Krimet janë të papranueshme. Unë mund të pranoj dhe të kuptoj që gjatë luftës të vriten ushtarë, policë apo persona të armatosur që marrin pjesë në luftë. Por është fakt që në luftërat e ish-Jugosllavisë janë vrarë me mijëra e mijëra persona që kurrë nuk kanë pasur armë në dorë. Kjo është e papranueshme, është një njollë shumë e madhe nga e kaluara për serbët, shqiptarët dhe të gjithë të tjerët.

Ministër, fillimi juaj në qeverinë e Kosovës nuk ka qenë fare i mirë, të paktën sa i përket qëndrimit ndaj shqiptarëve. Kjo me siguri do ta vështirësojë punën tuaj në qeveri. Si mendoni t’i realizoni prioritetet tuaja, në këto kushte?

Mendoj se askush në Kosovë nuk e ka kuptuar gabimisht mesazhin tim. Por momenti politik është i tillë, se mesazhi im që i adresohej një grupi që ka kryer veprime të dhunshme, po përdoret për qëllimet e politikës së ditës dhe me synim destabilizimin e qeverisë, e cila nuk u pëlqen partive opozitare. Ministria që unë drejtoj nuk ka të bëjë vetëm me mbrojtjen e interesave të serbëve por të të gjithë qytetarëve – serbëve, romëve, goranëve, shqiptarëve… Fakt është që në Kosovë kemi rajone ku edhe shqiptarët janë pakicë, ndaj dyert e kësaj ministrie janë të hapura për të gjithë.

A keni menduar për dorëheqje?

Jo, unë në asnjë moment nuk i kam shkelur detyrimet e mia qëkurse kam marrë këtë detyrë. Ndaj nuk shoh asnjë shkak pse të jap dorëheqje. Deklaratat mund të interpretohen në mënyra të ndryshme, por deklaratat tek e fundit nuk janë të detyrueshme për askënd. Puna jonë vlerësohet përmes punës sonë në ministri dhe mbi bazën e kësaj pune duhet të vendoset nëse unë do të mbetem apo të largohem nga ky vend./radiogjakova/