KEDS: Kujdes me energjinë e shpenzuar
Prishtinë- Përmes një komunikate për media KEDS-i apelon tek konsumatorët që të kenë kujdes të shtuar gjatë përdorimit të energjisë elektrike.
Javëve të fundit ka pasur rritje të dukshme të konsumit, kryesisht për shkak të përdorimit të energjisë elektrike për ngrohje. Kjo po sjellë ngarkesë si për KEDS-in ashtu edhe për konsumatorin.
Konsumi është ngritur në muajin dhjetor me rreth 35 për qind për konsumatorët e amvisërisë në krahasim me muajin nëntor, ndërsa rritja e konsumit vazhdon edhe më tutje.
Sa i përket faturimit, KEDS është i obliguar që atë ta bëjë saktë në bazë të tarifave të miratuara nga ZRRE. Sipas tyre, meqë kompania numëron rreth 480 mijë konsumatorë, KEDS e pranon që mund të jenë bërë gabime eventuale, pasi që i gjithë leximi në pajtim me rregulloren bëhet në afat kohor prej 4 ditësh.
Por, KEDS sqaron se nuk toleron asnjë gabim të qëllimshëm. Në fund KEDS siguron se asnjë konsumator nuk do të paguajë më tepër se sa ka shpenzuar, pra do të paguajë vetëm në bazë të shpenzimit dhe faturimit të bërë në bazë të tarifave zyrtare që janë në fuqi në Republikën e Kosovës./radiogjakova/