Kërkesë për pronarët e dyqaneve te pazari
Tashmë kanë përfunduar pothuajse të gjitha punimet për rregullimin e platosë në Namazgjahun e Gjakovës, një lokacion ky që kishte mbetur shkret për shumë vjet në të kaluarën. Ndërtimi i kësaj platoje e ka kthyer këtë vend në një lokacion të përshtatshëm jo vetëm për funksionimin e tregut të gjelbër, por edhe si një vend për organizimin e festave të shumta, siç konkretisht pritet të ndodhë me festat e fundvitit.
Ndërtimi i kësaj platoje gjithashtu ka bërë që të fillojë rikthimi në funksion edhe i shumë dyqaneve, të cilat nuk ishin funksionale tash e 15 vjet. Shumë pronarë tashmë kanë filluar me renovimin e këtyre lokaleve ndërsa shumë prej tyre, për të mos thënë të gjitha këto lokale pritet të kthehen në lokale hoteliere.
E pikërisht në këtë fazë të investimeve, zyrtarët e komunës së Gjakovës kanë apeluar tek pronarët që në kuadër të investimit, në lokalet e tyre t’i kthejnë dyert e drurit, në mënyrë që i tërë kompleksi i dyqaneve të përshtatet me arkitekturën origjinale të pjesës së vjetër të qytetit. Një apel të tillë, përmes Radio Gjakovës, e ka bërë edhe kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila./radiogjakova/