.
Published On: Thu, Apr 27th, 2017

Kërkohet drejtësi për Masakrën e Mejës

Share This
Tags

Në Mejë të Gjakovës u kujtua 27 Prilli, dita kur forcat ushtarake dhe policore serbe vranë dhe masakruan 377 qytetarë të pafajshëm në këtë fshat.

Në një akademi të organizuar, Presidenti Thaçi tha se liria dhe pavarësia e Kosovës në themelet e saj ka gjakun dhe jetën e dëshmorëve dhe martirëve, prandaj për dëshmorët dhe martirët e Kosovës nderimi institucional është i përjetshëm.

“Sakrifica dhe dhimbja e madhe e Mejës është ajo që përmbylli Javën e të Pagjeturve dhe të viktimave të terrorit shtetëror serb anekënd Kosovës. Liria, demokracia dhe çdo vlerë e ndërtuar me mund dhe sakrificë në Kosovën e lirë, nuk është e plotë pa dënimin e kriminelëve për personat e vrarë, të masakruar dhe pa zbardhjen e fatit të të zhdukurve dhe të varrosurve brenda dhe jashtë Kosovës”, tha Presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se vlerëson punën e të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që kanë bërë deri më tani për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Por, sipas tij, familjet e personave të pagjetur me të drejtë kërkojnë që të bëhet më shumë për zbardhjen e së vërtetës për më të dashurit e tyre.

Ndërsa, kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, mes tjerash tha se krahas kujtimeve e nderimeve për martirët e dëshmorët, të gjithë ne vazhdojmë të përballemi edhe me dhimbjen e madhe e cila ende nuk është lehtësuar, ndërsa plagët e shkaktuara në 27 prillin e vitit 1999 vazhdojnë të mbesin të hapura për shumë familje në Kosovë.

Duke kujtuar vuajtjet dhe sakrificat e të gjithë të rënëve, kryetarja Kusari – Lila shtoi se secili prej nesh duhet të reflektojë mbi faktin se çfarë bëmë, ku jemi dhe ku po e drejtojmë ëndrrën e këtyre të rënëve për liri.

Në emër të qeverisë së Kosovës dhe të kryeministrit Isa Mustafa, në këtë akademi foli ministri Avdullah Hoti, ndërsa në emër të familjarëve të të pagjeturve kanë folur Bajram Çerkini nga Mitrovica dhe Zeqë Tahiri nga Gjakova, të cilët kanë kërkuar të bëhet më shumë për zbardhjen e fatit të të pagjeturve si dhe të përshpejtohen punët për rregullimin e Kompleksit Memorial të Mejës.