Kërkohet ndërhyrje në kryqëzimet tek “Faik Konica”
Banorët e lagjes “Faik Konica” në afërsi të shkollës fillore “Fehmi Agani” në një rreze të shkurtër kanë 3 kryqëzime të ndryshme rrugësh që javëve të fundit janë shndërruar në vende aksidentesh.
Kryqëzimi i parë lidh rrugën “Faik Konica” me rrugën “Migjeni” dhe “Jashar Salihu”, në të dytin kryqëzohen rrugët “Faik Konica” dhe “Sulejman Lleshi”, ndërsa në të tretin kryqëzohen rrugët “Ymer Prizreni” dhe “Sulejman Lleshi”.
Banorët thonë se disa drejtues mjetesh ecin me shpejtësi të madhe dhe për pasojë janë shkaktuar disa aksidente. Ata kërkojnë që të merren masa më të ashpra për të penguar mjetet të lëvizin me shpejtësi të madhe.
Aktualisht, Drejtoria e Shërbimeve Publike po vazhdon me riparimin dhe vendosjen e shenjave të trafikut në pjesë të ndryshme të qytetit të Gjakovës dhe së shpejti do të ndërmerren masa edhe në këto kryqëzime./radiogjakova/