.
Published On: Tue, Feb 13th, 2018

Kërkohet rishikimi i vendimit për heqjen e shpenzimeve të varrimit

Share This
Tags

Vendimi për pagesa të shpenzimeve të varrimit pa dallim i marrë në nëntor të vitit 2016, nuk po respektohet plotësisht. Nga 800 kërkesat sa janë pranuar në Drejtorinë e Shërbimeve Publike gjatë vitit 2017, vetëm 99 kërkesa janë miratuar deri më tash.

Kjo për mungesë të buxhetit, pasi mjetet e ndara për këtë qëllim janë të pa mjaftueshme për të mbuluar të gjitha kërkesat e qytetarëve.

Sipas vendimit i cili ishte miratuar nga qeverisja e kaluar komunale, Komuna duhet të kompensojë me shumën prej 180 eurove për çdo varrim, që në bazë të kërkesave që kanë ardhur gjatë vitit 2017, Komuna duhet të sigurojë një shumë prej rreth 150 mijë eurove në vit.

Por, në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, thanë se kjo shumë është e pamundur të mbulohet me buxhetin e tanishëm, duke pasur parasysh kërkesat gjatë vitit 2017.

Sipas drejtorit, Shkumbin Kastrati, raporti i kërkesave në raport me pagesat në fund të vitit 2017, ka qenë në disporpocion shumë të madh dhe nëse vazhdon ky trend, atëherë deri në fund të vitit 2018, për të respektuar këtë vendim, Komuna do të futet në detyrim deri në 300 mijë euro.

Për këtë arsye, ky vendim, me kërkesë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike do të diskutohet në takimin e Komitetit për Politikë e Financa të Kuvendit të Komunës së Gjakovës.

Sipas Kastratit, tash mbetet nga Kuvendi e Komunës, të vendos nëse do të vazhdojnë me financim apo do të revokojnë këtë vendim, për të kthyer vendimin e mëhershëm i cili ka paraparë heqjen e shpenzimeve të varrimit vetëm të rasteve sociale.

“Në momentin që vendoset që ky vendim të mbetet, atëherë Drejtoria e Financave duhet të sigurojë buxhet që kap shumën e 300 mijë eurove deri në fund të vitit 2018”, ka thënë Kastrati./radiogjakova/