.
Published On: Tue, Mar 7th, 2017

Klubi Rotarian Gjakova organizoi binjakëzimin e katër klubeve rotariane

Share This
Tags

Rrjeti rotarian gjithandej botës është mjaft aktiv ndërkohë që Klubi Rotarian Gjakova, ka nisur rrugëtimin në mbështetje të komunitetit që në Qershor të vitit 2000 duke shënuar themelimin e klubit të parë në Kosovë. Pikërisht ky klub gjakovar është promotor edhe i bashkëpunimeve të reja. Mbrëmë ka organizuar ceremoninë e binjakëzimit me klubet rotariane, Dardania të Prishtinës, klubin rotarian të Tetovës dhe Klubin Rotarian Keystone Distrikti 70280.

Blendi Bardhi kryetar i klubit Rotarian Gjakova me këtë rast ka përmendur arritjet e këtij klubi në mbështetje të komunitetit në Gjakovë dhe komunat përreth me pajisje shëndetësore për institucionet shëndetësore, me kompjuterë për nxënësit e shkollave, pajisje për zjarrfikësit e regjionit e të tjera ndihma. Pasi është nënshkruar solemnisht akti i binjakëzimit, kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila ka përgëzuar rotarianët për aktivitetet e zhvilluara ndërsa ka uruar një bashkëpunim të mirëfilltë mes klubeve të binjakëzuara. Ndërkaq, themeluesi i Rotarit në Kosovë, Ruzhdi Bakalli përmes linjes direkte nga SHBA-të, ka shprehë urimet e sinqerta për këtë binjakëzim të katër klubeve të cilin e konsideroj si një nga ngjarjet e rralla në aktivitetet e rotarianëve. Ai duke i përshendetur rotarianët prezentë theksoj se ky binjakëzim është një motiv që klubet rotariane të bashkpunojnë mes tyre në shërbim të komunitetit.

Solemnitetin e binjakëzimit e ka shoqëruar diskutimi për idetë dhe format konkrete të bashkëpunimit për të cilat folën drejtuesit e klubeve mike, Mazllum Belegu nga Dardania Prishtinë, Argjent Imeri nga Tetova dhe Hektor Binishi nga Klubi më i ri Rotarian Keystone.