.
Published On: Fri, Mar 9th, 2018

Komandati Gjokaj raporton para KKSB-së, gjendja e sigurisë vlerësohet e qetë

Share This
Tags

Komandanti i Stacionit Policor të Gjakovës, major Kristë Gjokaj, raportoi para anëtarëve të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësisë mbi gjendjen e sigurisë për muajin Dhjetor 2017 dhe Janar e Shkurt 2018.

Duke i bërë një përmbledhje të përgjithshme, Gjokaj tha se situata në Gjakovë konsiderohet “e qetë dhe stabile”. Sipas tij, gjatë këtij 3-mujori për të cilin raportoi ka pasur vetëm një vrasje në fshatin Rogovë, rast i cili tashmë i është proceduar Prokurorisë së Gjakovës.

“Përgjithësisht situata mund të konsiderohet e qetë dhe stabile. Për këtë periudhë kur po flasim kemi pasur vetëm një vrasje në fshatin Rogovë për të cilin është arrestuar një person dhe rasti i ka kalauar Prokurorisë”, u shpreh Gjokaj.

Majori Gjokaj theksoi se shqetësim i vetëm mbeten vetëm veprat penale kundër pasurisë, ku hyjnë vjedhjet, dëmtimi i pronës, etj, pasi raste të tilla në muajt e fundit kanë qenë 47, një rritje prej 4.4%, ndërsa vepra penale kundër jetës dhe trupit kanë qenë 19.

Mirëpo, në përgjithësi, numri i veprave penale të regjistruara në Stacionin Policor në Gjakovë ka shënuar rënie në shkallë prej 26%.

Zbulueshmëria e tyre është në masën 30%, por sipas majorit Gjokaj ka raste që janë ende në hetim prandaj kjo përqindje mund të duket e vogël.

Për periudhën Dhjetor 2017-Shkurt 2018, aksidente me lëndime në Gjakovë kanë qenë 15, ndërsa me dëme materiale janë 10.

Po ashtu, janë shqiptuar 325 gjoba në trafik që me ligjin e ri janë shumë të larta e që sipas majorit Gjokaj kanë ndikuar në vetëdijesimin e qytetarëve pasi ka rënë numri i kundërvajtjeve në trafik dhe aksidenteve.

Për këta 3-muaj, Policia ka arrestuar 128 persona, ku 28 prej tyre janë ndaluar në Qendrën e Mbajtjes, ndërsa të tjerët janë liruar me procedurë të rregullt.

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, pasi falënderoi Gjokajn për raportim, u shpreh mirënjohës për punën e Stacionit Policor të Gjakovës duke thënë se do të bashkëpunojnë ngushtë në të ardhmen ndërsa pritet të ketë raportime më të shpeshta mbi gjendjen e sigurisë./radiogjakova/