Komuna do të heq taksat në firmë për bizneset lokale
Gjakovë- Kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila ka paralajmëruar heqjen e taksës në firmë për të gjitha bizneset e komunës së Gjakovës, sepse një taksë e tillë është në kundërshtim me Ligjin dhe vendimin e qeverisë së vendit.
Sipas saj, në vitin 2011 qeveria e Kosovës pati marrë vendim që ta heq këtë taksë, por vetëm komuna e Gjakovës nuk e kishte respektuar këtë vendim, duke vazhduar t’i ngarkojë bizneset lokale. Kusari – Lilak ka thënë se vendimi për heqjen e kësaj takse do të merret në mbledhjen e ardhshme të asamblesë. Megjithatë sipas saj ky vendim nuk nënkupton edhe amnestimin e borxheve të vjetra nga kjo taksë, por vetëm heqjen e taksës nga gjysma e dytë e vitit 2014.
“Duhet të punojmë që të kemi më shumë investime e biznese të reja në komunën e Gjakovës, e jo të mendojmë për ndëshkime e ngarkesa për këto biznese”, ka thënë Kusari – Lila. Ajo gjithashtu ka paralajmëruar edhe mundësinë për amnestimin e borxheve për tatimin mbi pronë për të gjitha ndërmarrjet shoqërore të komunës së Gjakovës, borxh ky i cili arrin shifrën rreth 2.5 milion euro.
Sipas saj kjo mund të ndodhë nëse qeveria e Kosovës merr vendim që ish – pronën shoqërore ta kthejë në pronë publike, në mënyrë që ajo të mos privatizohet por të epet në shfrytëzim për investitorët e huaj./radiogjakova/










