.
Published On: Wed, Feb 28th, 2018

Komuna: Drejtuesit e mjeteve të mos pengojnë punën e borëpastrueseve

Share This
Tags

Bora e cila po bie pa ndërprerë për të tretën ditë me radhë, e trashësia e së cilës në disa zona ka arritur në 50 centimetra, vazhdon të sjellë vështirësi në përditshmërinë e qytetarëve.

Drejtori për Shërbime Publike, Shkumbin Kastrati, i tha Radio Gjakovës se të gjitha rrugët në territorin e Gjakovës janë të kalueshme, ndërsa borëpastrueset po vijojnë punën në të gjithë komunën.

“Kompanitë e angazhuara për mirëmbajtjen e rrugëve gjatë stinës së dimrit, ‘D&T’ në qytet si dhe kompania ‘Berisha’ në pjesët rurale, janë duke punuar me të gjitha kapacitetet për krijimin e kushteve optimale për lëvizje të qytetarëve”, u shpreh Kastrati për Radio Gjakovën.

Situata më e vështirë ka qenë në drejtim të fshatrave Shqiponjë e Goden ku rrugët po pastrohen gjatë tërë kohës.

Sa i përket gjendjes në rrugët e qytetit që prej orës 06:00 të mëngjesit të së mërkurës ekipet për mirëmbajtjen e rrugëve kanë dalë në teren për të pastruar borën si dhe për të hedhur krip industrial.

Pengesa për pastrimin e borës në qytet po paraqet parkimi i automjeteve në rrugë të ngushta, për çfarë autoritetet janë detyruar t’i largojnë përmes mjeteve të veçanta të njohura si “merimanga”.

Ndërkohë vazhdon kujdestaria 24-orëshe për të pranuar thirrjet telefonike për raste emergjente në numrin pa pagesë 112, ndërsa për mbikëqyrjen e nivelit të pastrimit të rrugëve, në teren janë dy ekipe të Komisionit Komunal për mbikëqyrjen e rrugëve./radiogjakova/