Komuna e Gjakovës bënë publik Ligjin për programe të veçanta të banimit
Komuna e Gjakovës ka bërë shpallje publike për financimin e Programeve të Veçanta të Banimit, për familjet të cilat nuk mund t’i përballojnë ofertat e tregut të lirë të banesave, e të cilët e kanë të pa zgjidhur çështjen e banimit. Kategoritë e familjeve që mund të përfitojnë nga ky program i veçantë i banimit janë familjet që nuk kanë banesë apo shtëpi në pronësi individuale, pastaj familjet që kanë mbetur pa banesë-shtëpi, si rezultat i dëmtimit të shtëpive gjatë luftës së fundit në Kosovë si dhe ato familje që nuk posedojnë sipërfaqe banimi nën normat e banimit, të përcaktuara për atë kategori sociale dhe ekonomike. Lidhur me këtë, Ali Tafarshiku, këshilltar i kryetares së komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka veçuar të dhënën se bëhet fjalë për një program i cili do të aplikohet në mënyrë të saktë dhe të drejt, duke respektuar në përpikëri ligjin përkatës. “Eshte shpallja e pare ligjore pas 17 viteve ne Komunen e Gjakoves. Ne periudhen e pasluftes jane shperndare disa here banesa por menyra e ndarjes ka qene per keqardhje. Tash kemi ligjin per programe te veçanta te banimit i cili nuk le hapesire per te manipuluar me kete proces. Kriteret jane strikte dhe mjaft te sakta”, ka thene per Radio Gjakoven, Tafarshiku.
Sipas, këshilltarit të kryetares së komunës, vlerësimin për përfituesit e banimit social do ta bëjë një komision mikst, i cili paraprakisht do të verifikoi çdo të dhënë, përfshirë këtu edhe ato në drejtorinë e kadastrës. “Ligji per programe te veçanta te banimit eshte mjaft i qarte dhe afati per aplikim eshte deri me date 2 dhjetor 2016. Aplikacionet e dorëzuara do te shqyrtohen dhe vlerësohen nga komisioni perkates, nderkohe qe pas nje periudhe aplikuesit do te vizitohen nga anetaret e komisionit te cilet do te pasurohen me informata shtese dhe per te ardhe ne përfundim se cila familje mund ta gezoj te drejten e familjes sociale”, ka shtuar Tafarshiku.
Ndryshe, kriteret bazë për përcaktimin e radhës së përparësisë së familjeve përfituesve janë: statuti i Banimit, lartësia e të ardhurave, gjendja shëndetësore, invaliditeti, struktura e familjes e të tjera ndërkohë që numri i banesave në dispozicion për këtë program të veçantë të banimit është 48. Në anën tjetër, sipas këshilltarit, Tafarshiku, aktualisht tek Komisioni përkatës në Kuvendin e Komunës, gjendën 128 kërkesa të familjeve të ndryshme të cilat kërkojnë kulm mbi kokë.