.
Published On: Wed, Jun 11th, 2014

Komuna, aksion i ri për mbylljen e lokaleve të lojërave të fatit

Share This
Tags

kazino-aksioniDisa javë pas aksionit për mbylljen e të gjitha lokaleve të lojërave të fatit në komunën e Gjakovës, gjendja është kthyer aty ku edhe ka nisur. Të gjitha lokalet janë rihapur dhe e kanë rifilluar veprimtarinë e tyre, ndonëse kjo vazhdon të jetë në kundërshtim me ligjin.

Këtë e ka pranuar edhe zëdhënësi i komunës së Gjakovës Ali Tafarshiku, i cili ka bërë të ditur se asnjëri prej pronarëve të këtyre lokaleve nuk e ka respektuar vendimin për mbylljen e tyre. Sipas Tafarshikut, inspektorët komunal kanë dalë përsëri në teren dhe e kanë konstatuar gjendjen e krijuar, sipas së cilës në territorin e qytetit të Gjakovës operojnë në mënyrë ilegale 42 lokale të lojërave të fatit.

Për këtë, Tafarshiku ka bërë të ditur se kryetarja e komunës Mimoza Kusari – Lila sot ka drejtuar një kërkesë të re në ATK, institucion nga i cili ka kërkuar që në mënyrë urgjente të ndërhyhet dhe me një aksion tjetër të bëhet mbyllja e këtyre lokaleve. Sipas Tafarshikut, kryetarja Kusari – Lila ka apeluar edhe tek pronarët e këtyre lokaleve që të mos veprojnë ilegalisht sepse bëjnë shkelje të rëndë dhe të dënueshme të ligjit.