.
Published On: Tue, Mar 10th, 2015

Komuna me të punësuar të tepërt, por s’do largojë asnjë nga puna

Share This
Tags

komuna-gjkBazuar në Ligjet dhe rregulloret ekzistuese, administrata komunale në Gjakovë llogaritet të ketë të paktën 150 punëtorë të tepërt. Një fakt në gjendje të tillë e ka pranuar edhe kryetarja e komunës Mimoza Kusari–Lila. Ajo ka thënë se aktualisht në komunën e Gjakovës, gjegjësisht në administratën komunale janë të punësuar 282 persona, ndërsa nevojë reale komuna ka vetëm për 120 persona.

Sipas saj ky numër është fryrë për vite me radhë si pasojë e punësimeve partiake e politike, edhe atëherë kur administrata realisht nuk ka pasur nevojë për punëtorë të rinj. Por, ndonëse nga ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal kanë ardhur rekomandime për zvogëlimin urgjent të numrit të të punësuarve, Kusari–Lila ka thënë se nuk e ka ndërmend të largojë njerëz nga puna, për faktin se largimi nga puna do të ishte goditje e rëndë për secilin individ në këtë kohë të krizës së madhe ekonomike.

Ajo ka bërë të ditur se rregullimi i këtij numri do të bëhet në mënyrë graduale, duke e bërë sistematizimin e vendeve të punës në pozicionet nga të cilat pensionohen punëtorët e vjetër. Sipas saj, komuna ka mjaft punëtorë të tillë që në vitet e ardhshme pritet të dalin në pension dhe për zëvendësimin e tyre nuk do të hapen konkurse, por aty do të vendosen punëtorët ekzistues të komunës, të cilëve do t`ju risistemohet pozita./radiogjakova/