Komuna, punimet për ankesin nisin në Qershor
Ndërtimi i aneksit të objektit të ri të Kuvendit Komunal në Gjakovë pritet të nisë në muajin qershor. Me këtë rast do të bëhet edhe renovimi komplet i objektit ekzistues.
Drejtori i drejtorisë për Administratë, Flamur Fetahaj tha se në fillim të vitit kanë rinisur kontaktet me zyrtarë të zyrës së Komisionit Evropian, e cila do të financojë pjesën më të madhe të këtij projekti dhe se janë dakorduar që ndërtesa e re dhe renovimi të fillojnë në fillim të verës.
Në fakt marrëveshja për këtë projekt ishte bërë gjatë qeverisjes së kaluar komunale, mirëpo finalizimi i saj nuk është bërë deri më tash.
Ky projekt i cili në total kap shumën e 3 milionë eurove do të krijojë kushte shumë më të mira jo vetëm për punëtorët e administratës, por edhe për të gjithë qytetarët e komunës së Gjakovës, duke ndikuar në ngritjen e performances në këtë institucion.
Drejtori Fetahaj tha se me nisjen e punimeve të cilat pritet të zgjasin 18 muaj e gjithë administrata e komunës do të kalojë në ish-objektin e “Bankosit”./radiogjakova/