.
Published On: Sun, Mar 30th, 2014

Komuna rikthen sheshin e Sahatkullës

Share This
Tags

kulla-ambientiGjakovë- Komuna e Gjakovës ka vendosur ta ndërtojë, konkretisht ta rikthejë sheshin e Sahatkullës, shesh i cili ka ekzistuar në të kaluarën dhe me të cilin në fakt edhe është identifikuar vet themelimi i qytetit të Gjakovës.

Për ta realizuar këtë projekt, komuna ka filluar procedurat për rrënimin e dy objekteve ekzistuese. Bëhet fjalë për objektet të vjetruara e dy ish-ndërmarrjeve shoqërore, Entit të Urbanizmit dhe Entit të Gjeodezisë. Përderisa kjo e fundit tashmë është likuiduar dhe nuk paraqitet ndonjë problem pronësoro-juridik, komuna është duke zhvilluar negociata me AKP-në dhe zyrtarët lokalë të Entit të Urbanizmit, negociata që sipas kryetares së komunës Mimoza Kusari-Lila pritet të përfundojnë pozitivisht brenda pak ditësh, transmeton zeri.

“Ne tashmë e kemi bërë hapin e parë, pasi në Asamblenë komunale këtë pjesë e kemi shpallur zonë të interesit të veçantë. Kemi kontaktuar edhe zyrtarët e AKP-së, të cilëve u kemi garantuar se se kjo hapësirë nuk do të jepet për qëllime komerciale apo përfituese, por do të jetë në shfrytëzim publik dhe si komunë jemi të gatshëm që këtë hapësirë t’ua kompensojmë me një hapësirë tjetër komunale. Shumë shpejtë presim që të kemi një përgjigje pozitive dhe të fillojmë punën konkrete për realizimin e këtij projekti”, ka thënë Kusari-Lila, e bindur në përgjigje pozitive.

Ndryshe, njëri prej këtyre dy objekteve, së fundmi është përdorur si seli nga dega e AAK-së në Gjakovë, deri sa nga aty u larguan me një vendim të kryetares Kusari-Lila, menjëherë pasi ajo e pranoi postin e të parës së Gjakovës. Por, Kusari-Lila ka mohuar kategorikisht që ideja për rrënimin e objektit apo për ndërtimin e parkut ka të bëjë diçka me AAK-në apo ka ndonjë prapavijë politike. Ajo ka shtuar se ndërtimi i këtij parku është një domosdoshmëri e kohës dhe ka karakter ekskluzivisht mjedisor e urbanistik.

Sipas zyrtarëve komunalë që janë duke e projektuar sheshin e ardhshëm të Sahatkullës, ky shesh do të ketë ulëse, ndriçim publik, ndriçim për Sahatkullën dhe gjithsesi do të bëhet rregullimi i akrepave të Sahatkullës, të cilët nuk janë në funksion tash e tre vjet.