Koncert me instrumentalistë nga Zvicra
Gjakovë- Adhuruesit e muzikës klasike në Gjakovë, të martën në mbrëmje kanë pasur mundësinë të përcjellin një koncert të veçantë të shfaqur në sallën koncertale të Shkollës së Mesme të Muzikës “Prenk Jakova”.
Me këtë rast veprat e autorëve të njohur Mocart Albeniz, Kacini dhe Piazola, i kanë interpretuar mjeshtrit e njohur nga Bazeli i Zvicrës, Afonso Fesh në violinë, Pabllo Barrgan në klarinetë si dhe Matias Myller në kitarë. Së bashku me instrumentistët e njohur nga Zvicra ka performuar në klarinet edhe instrumentisti gjakovarë Pëllumb Vula. Producent të këtij koncerti ishin çifti nga Zvicrra, Gjorgj dhe Dorotea Frankhauser –Riter.
Adhuruesit e këtij zhanri të muzikës të cilët e kishin mbushur sallën koncertale të shkollës së muzikës, u ndanë tejet të kënaqur me lojën e artistëve në instrumenta dhe me koncertin në tërësi, koncert ky i cili tashmë është shndërruar në tradicional, meqë organizohet çdo vit në këtë kohë. Ndryshe, këtij koncerti i paraprijnë edhe master kurset të cilët organizohen me nxënësit dhe mësimdhënësit e e Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” në Gjakovë./radiogjakova/